Lajme

“Ne s’kemi faj, do ta padisim revistën” – Qeveria sqarohet për shkrimin skandaloz të revistës franceze


“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të ndjekë rrugët ligjore për të adresuar dëmin e krijuar”, thuhet në një arsyetim të gjatë të kësaj ministrie pasi u zbulua se një revistë franceze me emrin “Petit Fute” ka publikuar një artikull të sponsorizuar nga Qeveria e Kosovës e në të cilin, pos tjerash, thuhet se “Kosova ka qenë një tokë bizantine ku lindën manastiret e saj madhështore ortodokse serbe”.

Revista promovon guida turistike dhe prezanton vende për t’u vizituar, dhe me financim të Kosovës, më saktësisht Agjencisë Kosovare për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve e njohur si KIESA, kishte edhe pjesë të tjera që nuk e prezantonin mirë shtetin.

Në një pjesë thuhet edhe se “Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova ishte vendi më i varfër në Evropë në vitin 2021”, por më pas shtohet se “një  shprese frynë mbi Kosovë nga zgjedhjet e shkurtit”.

Albanian Post ka provuar gjatë gjithë ditës të marrë një përgjigje nga KIESA dhe përkundër se drejtori i saj, Zef Dedaj, ka premtuar përgjigje me shkrim, nuk ka ndodhur as pas disa orësh.

Por, rreth orës 19:00 ministria ka dal me një arsyetim të gjatë se çfarë saktësisht ka ndodhur.

Një nga shfajësimet e para është bërë duke u sqaruar fakti se “bashkëpunimi në mes ish Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë – KIESA dhe Shtëpisë Botuese ‘Petit Fute’ ekziston që nga data 11 shkurt 2016”, duke hedhur fajin te qeveritë e kaluara.

Më pas thuhet se Petit Fute kishte kërkuar edhe nga qeveria aktuale bashkëpunim dhe ministria ka pranuar.

“Në komunikim me përfaqësuesit e Shtëpisë Botuese Petit Fute të datës 09.08.2022, KIESA ka dërguar dokumentin informues për potencialet e Republikës së Kosovës për t’u publikuar në katalogun e ‘Petit Fute. Teksti i vetëm i dërguar nga KIESA tek shtëpia botuese ‘Petit Fute’ është i hapur për publikun dhe nuk përmban asgjë nga shkrimet e publikuara në faqet 94 dhe 95 të katalogut të publikuar nga shtëpia botuese Petit Fute”, shpjegon ministria.

Por, çfarë kishte ndodhur?

Me datën 18 gusht Petit Fute, thotë ministria “ka dërguar një version tjetër të dokumentit promovues të KIESA, për të cilin ka kërkuar komente”.

“Me datën 19 gusht KIESA ka reaguar për draftin e ndryshuar tërësisht duke ia rikujtuar Shtëpisë Botuese që, materiali i dërguar nga Petit Fute nuk mbështetet aspak në tekstin e dërguar nga KIESA, si dhe ka ridërguar tekstin e njëjtë në bashkëngjitje të dërguar me herët”.

Më pas, sic sqaron ministria, KIESA ka refuzuar publikimin final të dokumentit në fjalë dhe iu ka kërkuar Shtëpisë Botuese Petit Fute që para çdo publikimi të ndonjë artikulli të merret aprovimi nga KIESA.

“Përkundër kësaj, Petit Fute nuk ka dërguar artikullin me korrigjimet e nevojshme për aprovim dhe pagesë nga KIESA, ndonëse i ishte premtuar se teksti do të korrigjohet dhe editohet sipas tekstit origjinal të dërguar nga KIESA”.

“Në këtë rrethanë të krijuar në dëm të historisë sonë të lashtë kombëtare, me publikimin e Shtëpisë Botuese Petit Fute të pa aprovuar dhe pa paguar nga MINT- KIESA dhe duke shtrembëruar tërësisht historinë tonë kombëtare, përkundër kërkesës sonë për korrigjime dhe premtimit nga Shtëpia Botuese Petit Fute, për editim dhe dërgim për aprovim të tekstit nga KIESA, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të ndjekë rrugët ligjore për të adresuar dëmin e krijuar”.

Reagimi i detyrueshëm

Qeveria e Kosovës ka reaguar vetëm pasi është zbuluar shkrimi dhe më pas u bë publik nga deputeti i Partisë Demokratike, Abelard Tahiri, dhe jo më herët.

Reagimi nuk ka ardhur vullnetshëm nga ministria, e as në momentin kur është publikuar. Është dashur të mediatizohet çështja dhe të vërshojnë kritikat që pas disa orësh ministria të reagojë.

Ministria prapë nuk ka treguar detaje të pagesës, apo të versioneve të tyre që i kanë dërguar te Petit Fute.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore