Lajme

‘Në Mariupol ka 5 mijë viktima, Rusia po i fsheh’


Mijëra qytetarë, mendohet se janë martirët e radhës në luftën në Ukrainë, ku konkretisht dyshohet se rreth 5 mijë qytetarë kanë mbetur të vdekur nga bombardimet ruse, teksa këta të fundit po mundohet të fshehin veprën e tyre kriminale.

Ka qenë vetë Presidenti i Ukrainës fillimisht, Volodymyr Zelensky, e më pas edhe kryebashkiaku i Mariupolit, Vadym Boichenko, të cilët kanë folur mbi tragjedinë në qytetin lindor ukrainas.

Sipas kryebashkiakut, mes të vrarëve, janë edhe 210 fëmijë. Ndërsa, rreth 300 vetë, pretendohet se kanë mbetur të vrarë vetëm gjatë sulmit në Teatrin e Mariupolit, ku të strehuar ishin 1 mijë persona.

Mbi 90% e infrastrukturës qytetase është tërësisht e shkatërruar nga bombardimet ruse. Qyteti vijon të jetë i rrethuar nga ana tjetër, ndaj mungojnë ushqimet dhe furnizimet me ujë apo energji elektrike.

Bombardimet, janë në bazë të asaj çfarë Boichenko tha, “i vetmi furnizim i pandërprerë në Mariupol”.

Vetëm 24 orët e fundit, qyteti është goditur 118 herë me raketa të ndryshme.

Zelensky nga ana tjetër, ka dhënë një intervistë për televizionin turk Haberturk TV, ku ka theksuar se rusët po i fshehin mijëra të vrarët, pavarësisht se ka prova konkrete për ta.

“Rusia nuk do që të shihet gjë, deri në çastin kur ata të marrin kontrollin dhe të spastrojnë qytetin”, deklaroi Zelensky. “Mariupoli është një ferr në këtë çast dhe përveç viktimave ka edhe shumë të plagosur”.

Më tej, presidenti ukrainas foli edhe për masakrën në Bucha, ku sipas tij rusët po ashtu janë përpjekur të fshehin krimet e luftës, por për shkak se nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për largimin e tyre, i kanë lënë provat pas.

“Kanë djegur familje të tëra. Familje! Dje gjetëm sërish një familje tjetër. Mamanë, babain, dy fëmijët. Dy fëmijë të vegjël. Prandaj them se ata janë nazistë”, përmbylli Zelensky.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore