Gjykata Kushtetuese mund të mbetet jashtë funksionit në fund të këtij viti duke mos mundur t’i ushtrojë kompetencat dhe përgjegjësit e saj, pasi e njëjta do të mbetet pa kuorum meqë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Gresa Caka – Nimani dhe gjykatësja Selvete Gërxhaliu – Krasniqi përfundojnë mandatin e tyre më 30 dhjetor 2024.
Ndonëse njohësit e çështjeve juridike besojnë se Qeveria e Kosovës do të jetë e përgjegjshme dhe do të ndërmarrë veprimet përkatëse për t’i propozuar gjyqtarët e Kushtetueses për emërim, sikurse parashihet me dispozitat përkatëse, të njëjtit vlerësojnë se një zvarritje e qëllimshme e këtij proces do të ishte një “dështim i madh” e “drejtësi e munguar”.
Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, institucioni më i lartë i vendit në mirëmbajtjen e parimeve dhe rendit kushtetues, ka kuorum nëse janë të pranishëm shtatë gjyqtarë.
Prandaj, nëse deri me këtë datë Kuvendi nuk propozon gjyqtarët e rinj për dekretim te Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Gjykata Kushtetuese do të mbetet pa kuorum.
Puna e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës mund të pezullohet deri në një afat të pacaktuar marrë parasysh faktin se në vitin 2022 kanë dështuar plotë 4 procese për plotësimin e pozitave të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese.
Për avokatin Ardian Bajraktari, Kuvendi i Kosovës ka një kohë relativisht të gjatë në ndërmarrjen e të gjitha hapave në këtë drejtim në atë mënyrë për të mos krijuar vakum në Kushtetuese.
Madje, sipas tij, neni shatë i Ligjit për Gjykatën Kushtetuese mundëson që procedura të mund të fillohet edhe më herët, me qëllim që ky institucion të ketë mundësi të funksionojë pa e ndërprerë fare punën.
“Marrë parasysh faktin që Ligji për Gjykatën Kushtetuese, në nenin 7, paragrafi 1 përcakton se Procedura për emërimin e gjyqtarit të ri, fillon të paktën tre (3) muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të gjyqtarit paraprak, kjo dispozitë mundëson që procedura të mund të fillohet edhe me herët, me qellim që ky institucion të ketë mundësi të funksionoi”, shpjegon ai për Albanian Post
Megjithatë, mos-zgjidhja eventuale e gjyqtarëve të Kushtetueses, ndonëse Kuvendi ka kohën e bollshme për të bërë një gjë të tillë, sipas Bajraktarit, do të mund të cilësohej si dështim i ligjvënësve.
“Mos-zgjidhja eventuale e gjyqtarëve të gjykatës Kushtetuese, përveç se do të ishte një dështim, i Kuvendit në përgjithësi e shumicës parlamentare në veçanti, për faktin se do ta lente jashtë funksionit ‘gardianin’ e kushtetutës dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë, andaj rrjedhimisht dëmi do të ishte jashtëzakonisht i madh”.
Andaj në vlerësimin e tij mediat, por edhe eksponentët e tjerë në këtë fazë duhet të luajnë rolin e tyre në rritjen e presionit publik dhe sensibilizimin e opinionit publik, që Kuvendi ta kryej këtë përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore me kohë.
Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe ligjëruesi universitar, Mazllum Baraliu.
Me konstatimin se autoritete kosovare kanë kohën e duhur për të ndërmarrë veprimet e duhura për të mos krijuar vakum institucional, Baraliu konsideron se në rast se kjo çështje nuk trajtohet në afatet ligjore atëherë lirisht mund të thuhet se në Kosovë do të ketë “drejtësi të munguar”.
“Ka ende kohë, por nuk do të duhej të ndodhë siç ka ndodhur herëve të kaluara ku loja e paskrupullt politike mes subjekteve politike në Kuvend pa vrarë mendjen për vakumin në Kushtetuese e cila shkakton pastaj vonesa në vendimmarrje, janë fatale”, thotë ai për Albanian Post.
Por, çfarë mund të ndodhë nëse Kushtetuesja mbetet pa kuorum?
Në një situatë të tillë nuk do të funksionojë institucioni kryesor për mbrojtjen e Kushtetutës dhe të drejtave dhe lirive të qytetarëve, pasi ky mekanizëm nuk do të mund të trajtojë kërkesat e parashtruara.
Të gjithë qytetarët, rastet e të cilave janë duke u trajtuar apo do të deponohen në ndërkohë, nuk do të kenë qasje në këtë Gjykatë.
Në anën tjetër, të gjitha projektligjet që kontestohen nga 10 apo më shumë deputetë, para se të njëjtat të dërgohen për dekretim tek Presidentja, do të mbesin të pezulluara.
Nëse Kuvendi përfundon mandatin e rregullt, zgjedhjet parlamentare më së voni duhet të mbahen më 16 shkurt 2025.
Mos dekretimi i gjyqtarëve të rinj do të bëjë që Gjykata Kushtetuese të jetë jofunksionale gjatë mbajtjes së zgjedhjeve, konstituimit të Kuvendit, zgjedhjes së Qeverisë.
Marrë parasysh faktin se eksponentë të ndryshëm të Qeverisë së Kosovës me baza ditore sulmojnë punën e Gjykatës Kushtetuese, veçse ky institucion po i shpall si anti-kushtetues ligjet që po i përpilojnë, mbetja jashtë-funksionit të këtij institucioni do të ishte fatale për rendin kushtetues në vend.
Ishte Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës i cili së fundmi në mënyrë të paprecedentë kritikoi dhe sulmoi punën e Gjykatës Kushtetuese.
Bislimi në tendencë për t’ia dëmtuar kredibilitetin dhe për ta paraqitur Kushtetuesen si një rival të Qeverisë tha se “Gjykata Kushtetuese nuk është Qeveri paralele e cila propozon ligje”.
Në mënyrë krejt surreale dhe të pabesueshme vartësi numër një i Albin Kurtit, i indinjuar me tendencën e partive opozitare në Kuvend për të dërguar ligjet e ekzekutivit aktual në Kushtetuese për shqyrtim, kërkoi që Gjykata Kushtetuese të mos përzihet në ligjet dhe reformat që po i përpilon ekzekutivi, ndonëse detyra e saj primare është mbrojtja e Kushtetutës, kur ajo shkelet nga vendimet e gabuara të Qeverisë.
“Të thuhet se për mua ligji është ligj vetëm kur të më thotë Gjykata Kushtetuese është me pretendu që Qeveria e vërtetë është Gjykata Kushtetuese, e jo qeveria e vendit. Është gabim. Janë rolet e ndara Qeveria i drafton ligjet, Gjykata Kushtetuese e ruan Kushtetutën, Gjykata Kushtetuese nuk është Qeveri paralele”, tha Bislimi.