Lajme

Murati, Abdixhikut: Kemi siguruar 80 milionë euro për Termokosin, projekti po mbahet i bllokuar nga opozita


Ministri i Financave Hekuran Murati dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati i ka reaguar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku i cili ka thënë se me iniciativën e asamblistëve të kësaj partie është ofruar ndihmë kapitale ndaj Termokos-it prej 5 milionë eurove.

Murati, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se Qeveria në vitin 2022 kishte siguruar financim në vlerë prej 80 milionë eurove për Termokosin.

“Projekti parasheh rritjen e kapacitetit të ngrohjes qendrore përmes energjisë së ripërtërishme, si dhe zgjerimin e rrjetit në shumë lagje të Prishtinës. Me fjalë tjera, financimi për zgjerim të rrjetit ekziston”.

Ai ka thënë se ky projekt po mbahet i bllokuar, pasi që opozita s’po voton marrëveshjet ndërkombëtare.

“Por projekti po mbahet i bllokuar sepse nuk po ratifikohet marrëveshja ndërkombëtare si rezultat i bllokadës nga opozita në Kuvend, e për ratifikim duhen 80 vota”.

Murati, ka kërkuar nga opozita që në vend se të bllokoj këto projekte të votoj ato dhe të siguroj 80 milionë euro për Termokosin.

“Pra, nëse është dikush që po bllokon projektet madhore, janë pikërisht partnerët e koalicionit qeverisës në Prishtinë”.

“Andaj, në vend se të bëjë akuza të pabaza drejt Qeverisë, deputeti Abdixhiku bën mirë të kërkojë nga partnerët e tij të koalicionit që të votojnë për ratifikimin e marrëveshjes që ia siguron 80 milionë euro Termokosit dhe qytetarëve të Prishtinës”.

Sipas Abdixhikut, me mjetet që kanë siguruar ata ngrohje qendrore do të kenë banesat e Bardha në Bregun e Diellit në plot 65 mijë metra katrorë banim, lagjja Lakrishtë me plot 500 mijë metra katrorë banim e afarizëm, lagjja Kalabria me 68 mijë metra katrorë banim.

“Përveç këtyre, ngrohje qendrore do të kenë dhe ushtarët tanë në Kazermën Ushtarake ‘Adem Jashari’; Arkivi i Prishtinës, 3 shkolla e 3 xhami në Qytetin e Vjetër të Prishtinës”.

Teksa ka paralajmëruar edhe zhbllokimin politik të Rrugës A.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore