Lajme

Ministrja e Drejtësisë sërish ankohet për Sistemin e Drejtësisë


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar sërish se dikasteri të cilin ajo e udhëheq ka kryer të gjitha detyrat për mbrojtjen e grave ndaj dhunës, por se problemi qëndron te sistemi i drejtësisë.

Pasi sipas saj nuk është duke funksionuar.

“Duke pasur parasysh informacionet e para që I kemi, ka dështim zinxhiror dhe për këtë siç ju kam thënë edhe në momentin që do të pranojmë raportin e institucioneve, qoftë nga policia, qoftë nga inspektorati shëndetësor, do të ketë dorëheqje e largime”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo theksoi se janë duke mbledhur raportet nga institucionet lidhur me vrasjen e shtatzënës 35 vjeçare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Haxhiu, këto komente i ka bërë pas takimit në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, ku është lansuar Kurrikula për Programet e Trajtimit të Dhunës.

Në një deklaratë të saj, ministrja e Drejtësisë, është shprehur e gatshme të jap dorëheqje nga pozita, pas rastit monstruoz që tronditi shoqërinë kosovare.

Më 30 nëntor, brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në oborrin e Spitalit të Gjinekologjisë është vrarë një grua 35 vjeçare.

Dorasi vazhdon të jetë në arrati.

Gjykata Themelore e Ferizajt, kishte konfirmuar se ka pasur urdhër-mbrojtje ndaj 35 vjeçares e cila u vra në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Kurse me 1 dhjetor, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka konfirmuar për Albanian Post se ka filluar një hetim ndaj policëve të cilët janë angazhuar për grumbullimin e informacioneve në këtë rast.

Foto nga vendi i ngjarjes.

Teksa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media me kishte akuzuar sistemin e Drejtësisë për neglizhencë të rasteve të ngjashme.

“Ne vazhdimisht kemi bërë thirrje që të mbrohen jetët e grave dhe vajze. Sikurse prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë mund të ishte parandaluar. Kemi edhe disa informacione të tjera të cilat për shkak të hetimeve unë nuk mund t’i bëj të ditura”, deklaroi Haxhiu para gazetarëve.

Më 25 nëntor, në Kosovë ka nisur fushata “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë periudhës janar-shtator 2022, janë regjistruar 2 mijë e 67 raste të dhunës në familje me 2 mijë e 126 viktima.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore