Lajme

Ministri Mehaj: Gjenerali Reinhardt do të kujtohet gjithmonë për kontributin e tij


Ministri i Mbrojtjes, Armen Mehaj

Ministri i Mbrojtjes, Armen Mehaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Gjeneral Dr.Klaus Reinhardt”.

“Gjenerali Reinhardt, në cilësi të komandantit të trupave të KFOR-it në Kosovë, do të kujtohet gjithmonë nga populli ynë për kontributin e tij shumë të madh në kthimin e tyre në vend pas dhunës së tmerrshme”, ka shkruar Mehaj.

“Si lider i madh ushtarak, krahas shërbimit për rindërtimin e vendin tonë, ai portretizoi në mënyrën më të natyrshme, dinjitetin e lartë dhe karakterin e fuqishëm të kombit mik gjerman”.

Ndërkaq pjesëtarët e KFOR-it në Kosovë kanë nderuar sot ish-komandantin e këtij misioni gjeneral Klaus Reindhardt.

“Me zemër të rëndë përshëndesim dhe e ulim flamurin e KFOR-it në gjysmështizë për humbjen e ish-komandantit, gjeneral Dr. Klaus Reindhardt”, thuhet në një postim në Facebook.

“Ne si ushtarë të KFOR-it nuk i harrojmë kurrë vëllezërit tanë dhe të gjithë ndajmë dhimbjen për humbjen e ish-komandantit tonë. U prefsh ne paqe gjeneral. Nuk do të harrohesh kurrë”, përfundon njoftimi i KFOR-it.

Ish-komandanti i trupave të KFOR-it në Kosovë, Gjenerali Klaus Reinhardt, të enjten e dy dhjetorit ka ndërruar jetë.

Lajmin e ka bërë të ditur, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Reinhardt ka dhënë një kontribut vendimtar në kthimin gradual të Kosovës në jetë normale, civile dhe rindërtimin e vendit pas luftës.

“Me pikëllim të thellë kam pranuar lajmin që është ndarë nga jeta Gjenerali Klaus Reinhardt”.

“Krahas mbrojtjes së popullsisë, vendosjes dhe ruajtjes së paqes në Kosovë, roli i Gjeneralit Reinhardt ishte vendimtar edhe në dhënien e impulseve të shumta dhe të rëndësishme për rindërtimin e shtëpive private dhe institucioneve publike si dhe në ri-ngritjen e institucioneve civile”, ka shkruar Gërvalla.

Gjenerali Reinhardt komandoi KFOR-in ndërmjet 8 tetorit 1999 dhe 18 prillit 2000.

Gjenerali Klaus Reinhardt

 

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore