Shqipëria

Ministri i Jashtëm kinez viziton Shqipërinë më 29 tetor


Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin, ka zbuluar se ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, do të vizitojë Greqinë, Serbinë, Shqipërinë dhe Italinë në datat 27 dhe 29 tetor.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka konfirmuar për Albanian Post se vizita në Shqipëri e ministrit Yi është parashikuar në agjendën zyrtare për datën 29 tetor.

Sipas zëdhënësit, Wang do të udhëtojë me ftesë të ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias, ministrit të Jashtëm serb Nikola Selakoviç, ministres së Jashtme shqiptare Olta Xhaçka dhe ministrit të Jashtëm italian Luigi Di Maio.

Historiku

Vizita e fundit e një zyrtari kinez në Shqipëri daton në vitin 2019. Asokohe, ministri kinez i Shëndetësisë, Ma Xiaowei, së bashku me një delegacion u takua me homologen e tij, Ogerta Manastirliu.

Në një njoftim zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale së Shqipërisë u njoftua se gjatë takimit u theksua angazhimi për planin e shkëmbimit të eksperiencave dhe trajnimin e profesionistëve të shëndetit.

Takimi u realizua në kuadër të zbatimit të planit të veprimit mes dy vendeve, të nënshkruar në Bullgari, në muajin korrik të vitit 2018, gjatë Samitit 16+1 të vendeve të Evropës Juglindore dhe Kinës.

Delegacioni kinez zhvilloi në atë periudhë një vizitë zyrtare treditore në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore