Lajme

Ministrat e BDI-së dorëzojnë dorëheqjet nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut


Dy ditë pasi që Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim – partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut – Ali Ahmeti, njoftoi se të gjithë ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e partisë së tij do të japin dorëheqje nga qeveria maqedonase, në momentin kur të miratohen ndryshimet kushtetuese, të cilat janë të domosdoshme për procesin e integrimit evropian, këtë të marte edhe zyrtarisht të gjithë ministrat shqiptarë i kanë dorëzuar dorëheqjen kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Zëvendëskryeministri i parë, ministri i Punëve të Jashtme, i Financave, Arsimit, dhe ai i Sistemimit Politik, në qeverinë e Maqedonisë së Veriut kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre me qëllim të plotësimit të kushtit të vënë nga partia opozitare maqedonase “VMRO-DPMNE” për votimin e ndryshimeve kushtetuese dhe formimin e një ekzekutivi të ri” pa BDI-në.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri Artan Grubi.

Grubi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se duke pasur parasysh rrethanat të cilat janë krijuar po e dorëzon dorëheqjen e tij, por se i ka kërkuar kryeministrit Kovaçevski se e njëjta të hyjë në fuqi vetëm kur të votohen ndryshimet kushtetuese.

“Si bartës i funksionit të rëndësishëm publik, i vetëdijshëm për mirëqenien e qytetarëve tanë dhe ardhmërinë e tyre e cila padyshim e ka vendin në familjen e madhe evropiane, duke e pasur parasysh emërtimin e subjektit politik të cilit i takoj dhe i cili në parim e ka integrimin e vendit si në NATO, BE dhe raportet e ngushta dhe të afërta me SHBA…”.

“…duke e pasur parasysh kushtin e pahijshëm të opozitës për ti votuar ndryshimet kushtetuese në Kuvend, duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë e integrimit dhe ardhmërinë dinjitoze të Republikës së Maqedonisë së Veriut…”.

“Po ua dorëzoj, i nderuar Kryetar i Qeverisë, dorëheqjen time nga pozita e Zëvendës Kryetarit të Parë të Qeverisë dhe ministrit për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, të cilën ju lutem që ta aktivizoni në momentin kur opozita do t’i votojë dhe do të hyjnë në fuqi ndryshimet e propozuara kushtetuese në Kuvend”, potencoi ai.

Ndërkaq, ai pohoi të jetë ndjerë krenar nga besimi që i ka dhënë lideri i partisë, Ali Ahmeti, por edhe vetë partia, e qytetarët që të jetë pjesë e “kabinetit reformues dhe integrues qeveritar dhe për mundësinë të ju shërbejë qytetarëve tanë”.

Ndryshe, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim – partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut – Ali Ahmeti, më 20 korrik, kishte njoftuar se të gjithë ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e partisë që ai e udhëheqë do të jepnin dorëheqje nga qeveria maqedonase në momentin kur të miratohen ndryshimet kushtetuese, të cilat nevojiten për integrimin evropian të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti kishte bërë publike letrën që ia kishte drejtuar kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, ku thuhej se “duke vlerësuar se vendimet e mëdha kërkojnë përgjegjësi dhe sakrifica politike, kombëtare e shtetërore nga secili prej nesh”, ministrat nga radhët e BDI-së do të japin dorëheqje.

Dorëheqja e ministrave shqiptarë, sipas kreut të BDI-së, është një përgjigje ndaj kushtëzimit të opozitës maqedonase, veçanërisht partisë më të madhe opozitare VMRO–DPMNE-ja, se do t’i votonin ndryshimet kushtetuese nëse BDI-ja del nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

“BDI-ja dhe unë, mbetemi të përkushtuar në përcaktimin se integrimi euroatlantik, përpos se në NATO, edhe në Bashkimin Evropian, si dhe aleanca e pashkëputur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë, janë dhe mbeten interesi më madhor i të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare e fetare”.

Ndryshimet në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut parashohin përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si një popull shtetformues, që bazohet në “propozimin francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.

Në rast se kjo nuk ndodh, Sofja mban të drejtën e përdorimit të vetos, apo bllokimit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian të Shkupit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore