Shqipëria

Meta: Vendimi i Kuvendit për ndalimin e raportimit të gazetarëve, antidemokratik


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, me anë të një statusi në median sociale Facbook, ka dënuar vendimin e Kuvendit për ndalimin e raportimit të pavarur të gazetarëve.

Ai e ka cilësuar këtë vendim si të “papranueshëm dhe antidemokratik”.

“Ky akt, që vjen në të njëjtën kohë me nxitimin e mazhorancës për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audioviziv, kufizon lirinë dhe pavarësinë e medias”, shkruan Meta në reagimin e tij.

Sipas tij kjo është një shkelje e lirisë së medias dhe demokracinë në Shqipëri.

Ai i ka bërë thirrje Kuvendit të tërhiqet nga ky vendim.

Më herët, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), Aleksandër Çipa i drejtoi një kërkesë zyrtare kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, lidhur me moslejimin e medias për t’i ndjekur fizikisht punimet e komisioneve parlamentare.

Gjithashtu dhe Instituti për Studime Politike (ISP), ka shprehur të njëjtin shqetësim lidhur me këtë çështje.

“Instituti i Studimeve Politike (ISP) i bashkohet shqetësimit të reporterëve të medias dhe apelon Kuvendin për rishikimin e këtij vendimi, respektimin e detyrimit ligjor për konsultimet publike, si dhe në tërësi për një qasje të re institucionale lidhur me transparencën, informimin dhe llogaridhënien publike”.

Vendimi i Kuvendit erdhi pas vënies në funksion të sistemit Audio-Video për transmetimin online të punimeve të komisioneve i cili kishte nisur implementimin që në vitin 2018.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore