Shqipëria

Gazetarët i kërkojnë Ruçit shpjegim për moslejimin e tyre në Komisionet Parlamentare


Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), Aleksandër Çipa i ka drejtuar një kërkesë zyrtare kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, lidhur me moslejimin e medias për t’i ndjekur fizikisht punimet e komisioneve parlamentare.

Në një prononcim për Albanian Post, Çipa tha se nga kërkesa e tyre synon marrjen shpjegimeve “për ndryshimin thelbësor që ka të bëjë me mos prezencën e gazetarëve në Komisionet parlamentare”.

“Praktika e vendeve të tjera njeh dy modele atë që e ndalon këtë por krijon një mënyrë më të përshtatshme për informimin për gazetarët dhe mediat si dhe të tjera që nuk e ndalojnë”.

Ai shtoi gjithashtu se kanë kërkuar të dinë pse “nuk është diskutuar kjo me grupet e interesit në rastin konkret me gazetarët dhe mediat, si mund të tejkalohet kjo jo për të krijuar konflikt, por për të krijuar bashkëpunim në interes dy palësh”.

Çipa theksoi se disa nga këto ndryshimet e bëra krijojnë premisën për censurim.

Gjithashtu dhe Instituti për Studime Politike (ISP), ka shprehur të njëjtin shqetësim lidhur me këtë çështje.

“Instituti i Studimeve Politike (ISP) i bashkohet shqetësimit të reporterëve të medias dhe apelon Kuvendin për rishikimin e këtij vendimi, respektimin e detyrimit ligjor për konsultimet publike, si dhe në tërësi për një qasje të re institucionale lidhur me transparencën, informimin dhe llogaridhënien publike”.

Vendimi i Kuvendit erdhi pas vënies në funksion të sistemit Audio-Video për transmetimin online të punimeve të komisioneve i cili kishte nisur implementimin që në vitin 2018.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore