Shqipëria

Solidarizim me protestën kundër abuzimit seksual të vajzave


“Dënoj me forcë rastet e fundit të abuzimit seksual të vajzave në Shqipëri”, kështu është solidarizuar presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, të dielën e 23 majit, përmes një postimi në median sociale Facebook.

Meta ka dalë në mbështetje të protestave qytetare kundër rasteve të abuzimit seksual.

Ai është shprehur ndër të tjera që “ky krim meriton ndëshkim të rëndë ligjor”.

Po ashtu dhe Ambasada britanike në Shqipëri, është solidarizuar me protestën e qytetarëve.

“Sot u bashkuam me qindra qytetare dhe qytetarë në Tiranë, që protestuan kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, pas rasteve të fundit të abuzimeve seksuale në vend”, shkruhej në postimin e publikuar në median sociale Facebook.

Sipas mesazhit sensibilizues të Ambasadës, studimet tregojnë se 50% e grave dhe vajzave në Shqipëri kanë përjetuar një formë të dhunës gjatë jetës së tyre.

“Ne qëndrojmë në solidaritet me gratë dhe vajzat në Shqipëri, në këtë mobilizim për t’i dhënë fund dhunës, abuzimeve seksuale dhe feminicidit. Ne u qëndrojmë pranë të mbijetuarve të dhunës seksuale”, deklarojnë përfaqësuesit e Ambasadës britanike në Shqipëri.

Kryetari i Komitetit të Myslimanëve Shqiptar (KMSH), Bujar Spahiu, ka reaguar gjithashtu në median sociale Facebook, pas protestës për abuzimet seksuale, të zhvilluar mesditën e sotme në Tiranë.

“Është i papranueshëm çdo rast abuzimi ndaj gruas, gjysmës më të mirë të shoqërisë njerëzore. Rasti më i fundit i abuzimit me të miturën në Mirditë është tronditës”.

Theksin e ka vënë dhe tek reagimi i shoqërisë, ku shprehet se “përveç reagimit të organeve kompetente, që duhet të jetë reagim i shpejtë dhe shembullor, i atillë duhet të jetë edhe reagimi i mbarë shoqërisë”.

‘Mos ma vrit fëmijërinë’

Ka qenë marshimi ‘Mos ma vrit fëmijërinë’ ku shumë qytetarë, gra dhe vajza, rreth mesditës të së dielës kanë protestuar kundër abuzimit seksual në Tiranë.

Aktivistë të shoqërisë civile, pjesa më e madhe prej tyre janë vajza, të cilët protestuan kundër abuzimit ndaj fëmijëve.

Qytetarët kanë marshuar nga sheshi ‘Skëndërbej’ drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Të pajisur me daulle e pankarta, marshimi i qytetarëve kanë vijuar për disa metra, për t’i thënë jo dhunës.

Kjo protestë erdhi pak ditë pas abuzimit të një 15-vjeçareje nga katër persona në Mirditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore