Shqipëria

Meta dekreton 4 ligje, nga ratifikimi ndërkufitar me Maqedoninë e Veriut deri te alokimi i dozave Pfizer


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, të mërkurën e 15 dhjetorit ka dekretuar katër ligje.

Njëra nga ligjet ka të bëjë me ratifikimin ndërkufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Përkatësisht marrëveshja e financimit në “Programin e Veprimit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II, Maqedoni e Veriut-Shqipëri 2014-2020, alokimet për vitin 2020”, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane.

“Programi i Bashkëpunimit Maqedoni e Veriut – Shqipëri ka si qëllim kontributin në zhvillimin social-ekonomik dhe rritjen e bashkëpunimit midis të dyja vendeve, nëpërmjet ndërhyrjeve të përbashkëta”, thekson ligji.

Përveç kësaj ka dekretuar dhe ligjin për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Ligji ka të bëjë me, “lehtësimin e qarkullimit të shtetasve dhe mjeteve gjatë kalimit të kufirit, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin për përmbushjen e interesave të përbashkëta të sigurisë”.

I treti në radhë ishte dekretimi i ligjit për zbatimin e programit për përgatitjen e studimeve të fizibilitetit dhe hartimit në nivel përfundimtar dhe studimin e impaktit mjedisor në sektorin e infrastrukturave, ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë.

“Kjo marrëveshje dhe mbështetja e Qeverisë Italiane, është një ndihmesë e çmuar për realizimin e një rrjeti rrugor efikas kombëtar që të favorizojë shkëmbimet e udhëtarëve dhe të mallrave me vendet kufitare dhe me pjesën tjetër të Evropës, si edhe në brendësi të Shqipërisë”.

I fundit po jo më pak i rëndësishmi ka të bëjë me alokimin e dozave të vaksinës Pfizer për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

“Krijimi i lehtësirave në procedurat e alokimit të dozave Pfizer, edhe kur ato janë të dhuruara nga shtetet e tjera, është një detyrim konstant i organeve shtetërore, për të garantuar furnizim të pandërprerë të vaksinës anti-COVID”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore