Lajme

Mes arabëve të Michigan-it që braktisin Biden-in: “Na tradhtoi, Trump do të fitojë me votat tona”


Fshati i prindërve të Khalid Turaani – nga Task Forca e Miçiganit për Palestinën dhe një nga themeluesit e lëvizjes #AbandonBiden – ka pamje nga liqeni i Tiberiadës.

“Ne kemi ende shtëpinë atje”, ka treguar ai.

Në dhomën e ndenjes në shtëpinë në të cilën jeton, ka të ekspozuara shumë objekte që flasin për trashëgiminë familjare.

Në mur ka një çelës të madh.

Pranë çelësit varet një hartë e Palestinës pas vitit 1948 me nënshkrimin e Moshe Dayan.

Turaani jeton gjysmë ore me makinë nga Dearborn, Michigan, një qytet me 110 mijë banorë me densitetin më të lartë të njerëzve me origjinë arabe në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Janë 54.5 për qind sipas regjistrimit të fundit.

Emrat e restoranteve dhe furrave të bukës me produkte nga Jemeni, Libani, Iraku dhe Turqia, xhamitë dhe kishat e krishtera të riteve kaldease janë dëshmi se pjesë të Lindjes së Mesme kanë gjetur vend në këtë cep.

Kryetari Abdullah Hammoud është libanez, ashtu si edhe shefi i policisë, Issa Shahin.

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, Biden mundi Trump në Michigan me 154 mijë vota, një diferencë prej 2.4 për qind.

Në shtet janë të regjistruar 300 mijë votues me origjinë arabe, katër vjet më parë dolën në votime 146 mijë dhe 70 për qind zgjodhën kandidatin demokrat.

Është nga vende si ky që zemërimi kundër Bidenit dhe politikës së tij të mbështetjes për Izraelin po ndërtohet dhe po zgjerohet në shumë shtete kyçe të Amerikës, nga Minesota në Arizona nga Nevada në Geotgia.

Çka ka vënë në rrezik të madh rizgjedhjen e tij.

Ekziston një makineri organizative – ndër liderët e së cilës është Turaani – e cila vepron për ta transformuar Bidenin në “një president prej vetëm katër vitesh, Gaza do të jetë për të siç ishte Irani për Carterin”.

Lëvizja #AbandonBiden po mobilizon bazën për të realizuar planin e parandalimit të rizgjedhjes së një presidenti që “ka qenë bashkëpunëtor në gjenocid, i cili ka shkelur të drejtat e njeriut dhe jetët e fëmijëve në Gaza”.

Nuk ka njeri në Dearborn dhe zonat përreth që të mos ketë lidhje të drejtpërdrejtë me Gazën, miq, të afërm, vëllezër.

Dhe Turaani tregon gjithashtu historinë e një “miku të dashur që jeton në Bruksel dhe ka 21 të afërm në Gaza.

“E kam dëgjuar para disa ditësh përmes Zoom, ka qenë vetëm. Familja e fqinjëve të mi u shua në një bastisje”.

Kjo është arsyeja pse në sytë e tij nuk ka asnjë mundësi shpengimi për Biden, asnjë mënyrë për t’i shpëtuar një vendimi që sipas aktivistit tani është shkruar.

Rreziku për të luajtur në duart e Trump nuk e tremb.

Ai rrëfen se “ka dikë brenda Partisë Demokratike që është i bindur se brenda një viti dinamika do të ndryshojë dhe se nuk ka asgjë për t’u frikësuar nga lëvizja jonë”.

Ai nuk përmend emra, as nuk shpjegon nëse konsiderata vjen nga nivelet më të larta të fushatës së Bidenit dhe kush i dha atij një mesazh që vetëm sa shtoi vendosmërinë e tij për t’i kthyer shpinën presidentit demokrat.

Nga ana tjetër, avokati Nabih Ayad ka një firmë në zemër të Detroitit dhe është fytyra e sfidës ndaj Bidenit në frontin gjyqësor.

Në dhomën e pritjes, faqet e gazetave që kujtojnë betejat e tij në sallën e gjyqit për komunitetin arab janë kornizuar.

Ishte ai që paditi Donald Rumsfeld dhe Condoleezza Rice për luftën në Irak; dhe ishte Ayad përsëri ai që apeloi kundër “ndalimit mysliman” të Trump kur ish-presidenti vendosi një ndalim për hyrjen e “atyre që vijnë nga vendet e këqija”.

“Biden i ka harruar fëmijët e Gazës, ai po mobilizohet për izraelitët, por jo për ta, ai nuk po lufton që ata të evakuohen”.

Dhe kjo për të është “shkelje e Kushtetutës”.

“Unë do të votoj për Trump, në vend të dikujt që i dha dritën jeshile bombardimeve të civilëve”.

Këto lëvizje në Michigan duhet të shkaktojnë disa sinjale alarmi në mesin e stafit të liderit demokrat.

Një sondazh i Institutit Arabo-Amerikan të publikuar dy muaj më parë zbuloi se mbështetja për Biden në mesin e arabëve ka rënë nga 59 për qind në 17 për qind.

Edhe New York Times ka publikuar një studim javën e kaluar se gati dy të tretat e amerikanëve janë kritikë ndaj Shtëpisë së Bardhë për sjelljen ndaj konfliktit dhe mbështetjen për shtetin hebre.

Në Universitetin e Michigan-Dearborn, tensionet e komunitetit janë tani nën radar.

Pati dy demonstrata të mëdha pro Palestinës.

Por ajo që filloi si lëvizje solidariteti ka marrë një kthesë shumë radikale, sipas Vincent Intrieri.

Ai është student i marrëdhënieve ndërkombëtare, vjen nga Pensilvania dhe ka qenë në dy marshime. “Por nuk do të shkoj më”.

Shpjegimi i tij është i kundërt me atë të Abusaleh: “Hamasi është një grup terrorist, askush nuk mund të justifikojë atë që bëri”.

Kongresi në nëntor dënoi Rachida Tlaib, një kongresmene demokrate nga Michigani, për deklarata rreth gjenocidit.

Ajo u përgjigj duke thënë se “Biden do të paguajë shtrenjtë për atë që po bën”.

Në Dearborn ata tashmë janë në linjë me kongresmenen e tyre.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore