Lajme

Mehaj takon homologun turk: Partneriteti mes dy vendeve është i fuqishëm dhe i dobishëm për të dy shtetet tona


Armend Mehaj dhe Yasar Guler

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në kuadër të vizitës së tij në Turqi, këtë të marte është takuar me Ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, Yasar Guler.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook”, Mehaj tha se fillimisht e ka uruar Guler për detyrën e re si Ministër turk i Mbrojtjes, “më pas kemi diskutuar rreth vazhdimit të bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi pasur deri më tani me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Turqisë si dhe thellimin e këtij bashkëpunimi”.

“Do të vazhdojmë me bashkëpunimin në fushën e edukimit, trajnimeve dhe shkollimit të ushtrisë sonë. Partneriteti i ndërtuar me mirëbesim nga të dy palët është i fuqishëm dhe i dobishëm për të dy shtetet tona”, theksoi Mehaj.

Subjekt i diskutimit ka qenë edhe mbështetja për Kosovën për anëtarësim në Programin për Paqe, “për rëndësinë e anëtarësimit tonë në NATO, për misione të përbashkëta dhe marrëveshje tjera që do të hapin fusha të reja të bashkëpunimit”.

“Marrëveshjet shtet me shtet që kemi nënshkruar deri tani, kanë rezultuar të jenë shumë të suksesshme”, pohoi ai.

Forcimi i ushtrisë sonë, potencoi ministri Mehaj, “për të mbrojtur vendin dhe për t’i shërbyer paqes, është synimi ynë kryesor”.

Ndryshe, ky takim i Ministrit të Mbrojtjes me homologen turk vjen pak ditë pasi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, prezantoi dronët Bayraktar TB-2 të cilët Qeveria e Kosovës i ka blerë nga Turqia.

“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia. Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë”, kishte shkruar Kurti në Facebook me 16 korrik.

Kreu i qeverisë kishte theksuar se Kosova tash është edhe më e sigurt, “përveçse gjithnjë krenare”.

Kurti prezanton dronët Bayraktar: E kemi shtuar mbi 100% buxhetin për ushtrinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore