Lajme

Kurti prezanton dronët Bayraktar: E kemi shtuar mbi 100% buxhetin për ushtrinë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar dronët Bayraktar TB-2 të cilët Qeveria e Kosovës i ka blerë nga Turqia.

“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia. Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kreu i qeverisë ka theksuar se Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare.

“Me Komandantin e FSK-së gjenerallejtnant Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj përgëzuam oficerët që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve”, shtoi kryeqeveritari.

Ndryshe, për ish-komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, blerja e dronëve ushtarakë të tipit Bayraktar, është më se normale për një forcë siç është FSK-ja.

“Dronët nuk janë të nevojshëm vetëm për ushtrinë, por edhe për sigurinë kombëtare”, pati thënë Kastrati për Albanian Post.

Qeveria e Kosovës, kishte bërë të ditur më herët se ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës Fikrim Damka, po punon në vazhdimësi që të blejë dronë ushtarak Bayraktar nga Turqia.

Çfarë janë dronët Bayraktar?

Të lehtë, ekonomikë dhe të manovrueshëm nga distanca.

Bayraktar janë shndërruar në sinonim të suksesit në betejë, pas manovrimeve efikase të ushtrisë ukrainase kundrejt caqeve ruse.

Lufta në Vietnam, protagonist pati Kallashnikovin, të njohur shkurtimisht si AK-47. Lufta në Afganistan pati Stinger-in, predhën e famshme kundërajrore, të cilën mund ta përdorte çdokush.

Kurse, lufta në Ukrainë, protagonist deri tani, ka pikërisht dronët ushtarakë turq Bayraktar.

Ato, Ukraina i ka blerë nga Ankaraja, pikërisht për t’u mbrojtur nga agresioni i Vladimir Putinit, i cili e mori vendimin radikal më 24 shkurt.

Nëse edhe vetëm gjysma e vrasjeve që Kievi pretendon se i ka shkaktuar Ushtrisë ruse (rreth 12 mijë), e gjithë merita – ose të paktën pjesa kryesore e tyre – është e Bayraktar-ëve.

Falë strukturës së tyre, ato mund të kalojnë çdo linjë mbrojtjeje të rusëve dhe të godasin pikërisht aty ku dëshirohet.

Synimi kryesor deri tani, duket se kanë qenë kamionët e logjistikës, transportuesit, cisternat e ndryshme, apo edhe rrugët e komunikimit.

Ai, teknologjikisht nuk është shumë i avancuar, por efektshmëria që ka e bën të shkëlqeje.

I njohur ndryshe si BT2, Bayraktari është një dron bombardues. Operatori, i cili e drejton, është në distancë dhe jeta nuk i cenohet. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se ai rri tërësisht jashtë luftës.

Në terma konkretë, me aq sa është vërtetuar nga luftëra apo aksione të mëparshme me Bayraktar-ët, në Etiopi ka një rast kur me një predhë të vetme të dalë nga ai, u vranë 53 persona.

Droni është “i shkathët”, i vogël, ekonomik, mbi të gjitha, letal! Frenimin e avancimit të Ushtrisë ruse në territorin ukrainas, duhet t’ia dinë atij për falë.

Ai është aq praktik, sa mund të ngrihet në fluturim edhe nga një rrugë e thjeshtë. Kamerat e tij mundësojnë fushëpamje të gjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore