Sport

Me fokus në zhvillimin e sportit të padelit, Ylli takohet me përfaqësues të APG-së


Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli është takuar gjatë kësaj të premte të 7 janarit me përfaqësues të Albania Padel Group (APG).

Takimi u mbajt në selinë qëndrore të KOKSH-it. Fokusi i këtij takimi ishte zhvillimi i sportit të Padelit në Shqipëri.

Vetëm pak kohë më parë, APG-ja hapi në Shqipëri padelin e parë në Stërmas, pranë kryeqytetit. I cili është njëkohësisht nga të parët edhe në Ballkan.

Padeli është një sport që luhet në çift dhe në fushë të mbyllur. Është i ngjashëm me tenisin, por në ndryshim, fusha është më e vogël dhe ka mure. Ndërsa shërbimet me top duhet të gjuhen kur ai është në lartësinë e belit.

Sporti u shpik në vitin 1969 nga Enrique Corcuera ne Acapulco, Meksikë. Aktualisht është shumë i zhvilluar në Spanjë, Itali, Andorrë, Meksikë, Argjentinë dhe Kili.

Më 13 shtator 2019 Padeli u njoh si sport ndërkombëtar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC).

Nëse ai arrin të shtrihet në së paku 75 federata në katër koninente për meshkuj dhe 40 federata dhe tre kontinente për femra do të marrë Statusin Olimpik.

Sipas kritereve të IOC, padeli padyshim nuk mund të ishte olimpik për Lojërat Olimpike të Tokios, as për Olimpiadën e Parisit në 2024, por po punohet që të jetë për Los Angeles 2028.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore