Lajme

Mbi 50 afganë largohen nga Kosova drejtë SHBA-së


Afganet ne largim nga Kosova drejt SHBA-së.

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se të enjten e 18 nëntorit në orët e hershme të mëngjesit janë nisur 54 afganë nga Kosova për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Sot ju uruam lamtumirë 54 miqve tanë afganë, të cilët sot herët në mëngjes u larguan nga Prishtina për në SHBA”, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme.

Tutje, bëhet e ditur se po punojnë me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë që mysafirët nga kampi Liya të mund të largohen nga Kosova dhe t’ia fillojnë jetës së re.

“Po punojmë pandërprerë me partneren tonë, Ambasadën Amerikanë në Prishtinë që mysafirët nga kampi Liya të mund të largohen nga Kosova dhe t’ia fillojnë jetës së re. Ju urojmë gjithë të mirat dhe shpresojmë të dëgjohemi sërish me ta”.

Afganet gjatë largimit të tyre nga Kosova.

Më 5 nëntor, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka bërë të ditur përmes rrjetit social Twitter se rreth 100 afganë që ishin strehuar në Kosovë tashmë janë nisur drejt SHBA-së.

Ndryshe, më 16 shtator mbi 100 afganë janë nisur nga Kosova për Britaninë e Madhe.

Ndërsa, më 19 shtator janë larguar edhe 51 shtetas afganë nga Kosova.

Afganët që po qëndrojnë në Kosovë janë kryesisht persona që kanë punuar në cilësi të ndryshme për ushtrinë amerikanë si dhe forcat e tjera aleate të NATO-s, që kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit.

Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e veriut, në Kosovë, afganët kanë rregulla strikte të lirisë së lëvizjes, ata nuk e kanë të lejuar të dalin nga kampet ku janë vendosur.

Në Kosovë të strehuar kanë qenë 683 shtetas afganë.

Ambasada britanike kishte falënderuar dhe ka thënë se i është jashtëzakonisht mirënjohës për bujarinë e Kosovës në pritjen e këtyre njerëzve të cenueshëm dhe për hapin përpara për të mbështetur NATO -n në kohën e nevojës.

Grupi i parë i afganëve në Kosovë kishte arritur më 29 gusht, ku raportohej të ishte një grup prej 111 personave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore