Lajme

Mbi 100 afganë nisen nga Kosova për në Britaninë e Madhe


Nisen mbi 100 afganë nga Kosova për në Britaninë e Madhe

“Të enjten e 16 shtatorit pritet të largohen rreth 117 shtetas afganë nga Kosova”, të cilët ditë më parë ishin strehuar në kampin Bechtel-Enka në Ferizaj.

Këtë për Albanian Post e ka bërë të ditur Ferdinand Nikolla, Këshilltar Politik i Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Sipas Nikollajt, destinacioni i grupit të parë që pritet të largohet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” , thuhet të jetë Britania e Madhe.

117 afganë nisen nga Kosova për në Britaninë e Madhe

Edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka njoftuar se 117 afganë nga fluturuar sot nga Kosova për në Mbretërinë e Bashkuar, pas evakuimit të tyre nga Afganistani.

“Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar nën komandën e NATO -s janë vendosur në Kosovë dhe janë në pararojë të operacionit për të mbështetur strehimin dhe zhvendosjen e tyre”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

“Mbretëria e Bashkuar është krenare që po luan rolin e saj dhe është anëtarja e parë e NATO -s që siguron zgjidhje të shpejtë të mëtejshme. Mbretëria e Bashkuar është angazhuar të zhvendosë rreth 150 afganë të lidhur me NATO-n”, vijon njoftimi.

117 afganë nisen nga Kosova për në Britaninë e Madhe

Ambasada britanike ka falënderuar dhe ka thënë se i është jashtëzakonisht mirënjohës për bujarinë e Kosovës në pritjen e këtyre njerëzve të cenueshëm dhe për hapin përpara për të mbështetur NATO -n në kohën e nevojës.

Kosova ishte një ndër vendet që pati pranuar të strehojë shtetasit afganë të pasi nuk ishin të sigurt më në Afganistan, kur vendi ra në duart e talibanëve.

Grupi i parë i afganëve në Kosovë kishte arritur më 29 gusht, ku raportohej të ishte një grup prej 111 personave.

Afganët e parë në Kosovë

Për sigurimin e tyre të ardhjes në vend janë parë forca të shumta të Policisë së Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte lajmëruar se pritet të arrijnë rreth dy mijë shtetas afganë në Kosovë, për strehim të përkohshëm stacionar, deri në rregullimin e vizave amerikane.

Në Kosovë deri me tani janë strehuar 683 shtetas afganë që ikën nga Afganistani pasi militantët talibanë morën kontrollin e shtetit.

117 afganë nisen nga Kosova për në Britaninë e Madhe

Operacioni i sjelljes së afganëve të tjerë në Kosovë ende nuk ka përfunduar, kanë konfirmuar NATO-ja.

“Ne jemi duke punuar ngushtë me institucionet në Kosovë, të cilat kanë rënë dakord të presin të evakuarit dhe kanë identifikuar objektin Bechtel që do të shërbejë si strehim i përkohshëm derisa të identifikojmë opsionet e rivendosjes”, thuhet në përgjigjen e NATO-s. Rreth 2,000 persona pritet të strehohen përkohësisht në Kosovë, përderisa ata të presin kompletimin e dokumentacionit për t’u vendosur në baza të përhershme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Afganët që po qëndrojnë në Kosovë janë kryesisht persona që kanë punuar në cilësi të ndryshme për ushtrinë amerikanë si dhe forcat e tjera aleate të NATO-s, që kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore