Lajme

Abdixhiku kërkon vota për politikanin gjerman në prag të zgjedhjeve evropiane


Lumir Abdixhiku dhe David McAllister

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, gjatë qëndrimit në Gjermani, në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian (PE) në qeshor, kërkoi mbështetje nga mërgata kosovare për politikanin gjerman, David McAllister, i cili aktualisht mban pozitën e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme në organin legjislativ të Bashkimit Evropian (BE).

“Në këtë moment kyç të zgjedhjeve evropiane, mërgata jonë e madhe, duhet të tregojë aktivizim. Jo vetëm për të shpërfaqur më së miri interesat e tyre në vendet ku jetojnë, por dhe për të qenë forcë përcaktuese tanimë përtej kufijve tonë shtetëror”, shkroi kreu i LDK-së në “Facebook” të dielen, derisa veçoi kontributin e deritanishëm të McAllisterit për Kosovën në BE.

Abdixhiku listoi edhe arsyet pse mërgata duhet ta mbështesë McAllisterin, i cili kandidon nën flamurin e Unionit Kristian-Demokrat (CDU), duke thënë se eurodeputeti gjerman në gjithë veprimtarinë e vet politike gjeti kohë ta vendosë Kosovën në ballë të angazhimit personal politik, duke dhënë rezultate të prekshme në rrugën e integrimeve euroatlantike të vendit.

“Në David McAllister, ne kemi një zë që i bën jehonë synimeve tona. Mbështetja e kandidaturës së tij nuk është thjesht një akt politik; është një angazhim kolektiv për mirëqenien dhe prosperitetin e Kosovës. Për ta thënë më thjeshtë, është një obligim patriotik!”, shkroi mes tjerash Abdixhiku.

Ndryshe, midis 6 dhe 9 qershorit 2024, në 27 vendet anëtare të bllokut, pritet të mbahet cikli i ri zgjedhor për 705 ulëset e legjislativit evropian nga i cili do të varet edhe përbërja e ardhshme e Komisionit Evropian (KE).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore