Lajme

Largohen edhe 51 shtetas afganë nga Kosova


Shtetasit afganë duke u larguar nga Kosova

Grupi i dytë i shtetasve afganë, gjithsejtë 51 prej tyre të strehuar në kampin Bechtel-Enka në Ferizaj tashmë janë larguar nga Kosova.

Këtë e ka konfirmuar Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, duke treguar se destinacioni i tyre janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Sapo përshëndetëm qytetarë afganë, të cilët ishin të strehuar përkohësisht në Kosovë si pjesë e marrëveshjes sonë më Qeverinë e SHBA-së, ata do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre për një jetë më sigurt dhe më të mirë në SHBA”, është shprehur Sveçla.

Shtetasit afganë duke u larguar nga Kosova

Po ashtu, Sveçla ka theksuar se Kosova do të vazhdojë të ndihmojë refugjatë afganë të larguar nga Afganistani.

“Qeveria e Kosovës, bashkë me NATO-n dhe Qeverinë e SHBA-ve, do të vazhdojë bashkëpunimin edhe më tutje, për të realizuar me sukses transferimin e qytetarëve afganë nga Kosova për në vendet e tjera”, shtoi ai.

Ndërkaq, të enjten e 16 shtatorit janë larguar edhe 117 shtetas afganë nga Kosova në drejtim të Britanisë së Madhe.

Këtë për Albanian Post e pati bërë të ditur Ferdinand Nikolla, Këshilltar Politik i Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka njoftuar se 117 afganë nga fluturuar sot nga Kosova për në Mbretërinë e Bashkuar, pas evakuimit të tyre nga Afganistani.

Disa shtetas afganë të strehuar në kampin Bechtel-Enka në Ferizaj tashmë janë larguar nga Kosova.

“Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar nën komandën e NATO -s janë vendosur në Kosovë dhe janë në pararojë të operacionit për të mbështetur strehimin dhe zhvendosjen e tyre”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

“Mbretëria e Bashkuar është krenare që po luan rolin e saj dhe është anëtarja e parë e NATO -s që siguron zgjidhje të shpejtë të mëtejshme. Mbretëria e Bashkuar është angazhuar të zhvendosë rreth 150 afganë të lidhur me NATO-n”, vijon njoftimi.

Kosova ishte një ndër vendet që pati pranuar të strehojë shtetasit afganë të pasi nuk ishin të sigurt më në Afganistan, kur vendi ra në duart e talibanëve.

Grupi i parë i afganëve në Kosovë kishte arritur më 29 gusht, ku raportohej të ishte një grup prej 111 personave.

117 afganë nisen nga Kosova për në Britaninë e Madhe

Për sigurimin e tyre të ardhjes në vend janë parë forca të shumta të Policisë së Kosovës.

Ministri Sveçla, kishte lajmëruar se pritet të arrijnë rreth dy mijë shtetas afganë në Kosovë, për strehim të përkohshëm stacionar, deri në rregullimin e vizave amerikane.

Në Kosovë deri me tani janë strehuar 683 shtetas afganë që ikën nga Afganistani pasi militantët talibanë morën kontrollin e shtetit.

Operacioni i sjelljes së afganëve të tjerë në Kosovë ende nuk ka përfunduar, kanë konfirmuar NATO-ja.

“Ne jemi duke punuar ngushtë me institucionet në Kosovë, të cilat kanë rënë dakord të presin të evakuarit dhe kanë identifikuar objektin Bechtel që do të shërbejë si strehim i përkohshëm derisa të identifikojmë opsionet e rivendosjes”, thuhet në përgjigjen e NATO-s. Rreth 2,000 persona pritet të strehohen përkohësisht në Kosovë, përderisa ata të presin kompletimin e dokumentacionit për t’u vendosur në baza të përhershme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Afganët që po qëndrojnë në Kosovë janë kryesisht persona që kanë punuar në cilësi të ndryshme për ushtrinë amerikanë si dhe forcat e tjera aleate të NATO-s, që kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore