Lajme

Mbi 100 shtete marrin masa për shpëtimin e oqeaneve


Përfaqësues nga mbi 100 shtete janë zotuar se do të marrin masa për të parandaluar ndotjen e oqeaneve nga dora e njeriut, duke përfshirë këtu edhe implementimin e politikave të reja mbi peshkimin e jashtëligjshëm, mbetjet plastike dhe mbrojtjen e ujërave ndërkombëtarë.

Takimin e ka mirëpritur presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili ka qenë drejtues i samitit “Një Oqean”, nën moton se ky vit, është vendimtar për të marrë zotimet e deklaruara.

I dërguari i posaçëm amerikan për klimën, John Kerry, tha se “oqeanet, e bëjnë jetën në tokë të mundur”. Për këtë arsye dhe për faktin se ato prodhojnë më shumë se gjysmën e oksigjenit që njerëzit thithin, ato duhen mbrojtur dhe nuk duhen rriskuar.

“Oqeanet dhe klima janë të ndërlidhur në mënyrë të pashmangshme. Ata janë një”, përmendi ai.

Pjesë e nismës janë 27 vendet e Bashkimit Evropian si edhe 16 vende të tjera. Të gjithë, u zotuan për ndjekjen e një marrëveshjeje globale deri në fund të vitit, për të rregulluar përdorimin e zonave të caktuara në oqeane.

Sipas Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, marrëveshja është pranë. Por, vendet duhen shtyrë, që ta firmosin atë brenda këtij viti.

Një raund i katërt pritet të mbahet në muajin mars në New York, ku mendohet se do të ketë edhe një përgjigje përfundimtare për çështjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore