Shqipëria

“Mashtrimet Online”, 12 të arrestuar në operacionin ndërkombëtar të EUROPOL/ Mes tyre edhe Shqipëria


“Nga 1 maji 2021 deri më 14 nëntor 2021, një operacion ndërkombëtar çoi në arrestimin e 12 të dyshuarve, sekuestrimin e mallrave të falsifikuara në vlerë prej 2.6 milionë euro dhe parave të gatshme në vlerën 460 mijë e 468 euro”.

Lajmin e ka bërë të ditur faqja zyrtare e EUROPOL-it të hënën e 29 nëntorit, në kuadër të operacionit “faqet e internetit që ofronin mallra të falsifikuara dhe të përfshirë në piraterinë në internet”.

Operacioni i përbashkët ndërkombëtar përfshiu zbatimin e ligjit nga autoritetet prej 30 vendeve – mes tyre edhe Shqipëria – dhe Eurojust dhe INTERPOL.

Foto ilustruese e marrë nga operacione të sukseshme që ka kryer EUROPOL.

Falë operacionit u bë e mundur heqja e 494 mijë e 516 faqe interneti nga autoritetet e zbatimit të ligjit si edhe janë hapur 48 çështje penale.

Përveç këtyre janë sekuestruar 42 mijë e 55 artikuj të falsifikuar (këpucë, rroba dhe aksesorë të shumtë), 181 mijë e 445 kuti me produkte mjekësore të falsifikuara, 11 vepra arti false që shiteshin në faqet e ankandeve online, 37 makina dhe një motoçikletë.

Sipas EUROPOL-it shitja e mallrave të falsifikuara dhe materialeve pirate po bëhej një problem gjithnjë e më serioz për autoritetet e zbatimit të ligjit për një sërë arsyesh.

“Interneti i lejon kriminelët të mbeten anonimë për shkak të natyrës pa kufij të tregtisë elektronike ndërkombëtare. Nuk ka qenë kurrë më e lehtë të ofrohen mallra të falsifikuara ose përmbajtje pirate në internet pasi konsumatorët kanë akses në një shumëllojshmëri më të madhe të produkteve të paligjshme, por nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet e mundshme”, theksohej në njoftimin e EUROPOL-it.

Si nisi aksioni

E koduar si “Carding Action 2021”, ky operacion u nis nga Italia dhe u mbështet nga Mbretëria e Bashkuar dhe EUROPOL.

Ky aksion synonte mashtruesit që shisnin të dhëna të kartave të kreditit të vjedhura dhe blinin detaje të kartës së komprometuar në faqet e internetit – të njohura si dyqane kartash dhe tregje të errëta në ueb.

Si pjesë e këtij operacioni tre-mujor, u identifikuan 12 shitës që shisnin detaje të komprometuara të kartës së kreditit dhe u analizuan 49 mijë e 761 copë të dhëna të kartave të vjedhura.

Humbjet totale të parandaluara vlerësohen në 14 milionë euro. “Group-IB” dhe kompanitë e pagesave punuan në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet ligjzbatuese në vendet e përfshira në kuadër të “Carding Action”.

Nga Ballkani Perëndimor, përveç Shqipërisë morën pjesë edhe autoritetet e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë dhe Hercegovina.

Dyqan fizik kundrejt dyqanit online

Ndër të tjera pjesë e operacionit ishin autoritetet nga Belgjika, Bullgaria, Kanadaja, Kolumbia, Kosta Rika, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjeorgjia, Greqia, Hong Kong-Kinë, Hungaria, Irlanda, Italia, Letonia, Lituania, Malta, Moldavia, Holanda, Norvegjia, Portugalia, Rumania, Spanja, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shqipëria prej kohësh tashmë ka kryer operacione të suksesshme në bashkëpunim me EUROPOL-in.

Më 2 nëntor Agjencia e BE-së për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale Eurojust, ka bërë me dije vetëm vitin e fundit janë regjistruar 20 çështje nga vendi ynë.

Ndërkohë që, gjatë periudhës 2016-2020, janë regjistruar në total 84 raste të bashkëpunimit ndërkufitar, duke përfshirë hetime afatgjata shumë të suksesshme.

Përkatësisht, asokohe u theksua se bashkëpunimi do të thellohej edhe më tej me hapjen e zyrës së Prokurorit Ndërlidhës të Prokurorisë së Përgjithshme në Eurojust, apo me ndryshimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit strategjik mes Ministrisë së Brendshme shqiptare dhe EUROPOL-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore