Lajme

MASHTI planifikon formulë të re për financim të universiteteve të Kosovës


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci se MASHT-i është duke punuar për një formulë të re të financimit të universiteteve.

“MASHTI do të fillojë edhe definimin e një formule të re të financimit për universitetet dhe institucionet e arsimit të lartë, të cilat marrin fonde nga buxheti publik dhe përmes së cilës iniciativë synohet që të rrisim performancën e universiteteve”, tha Nagavci.

Tutje, e para e Arsimit gjatë tryezës së diskutimit të organizuar nga projekti Stand, ku u prezantua raporti i Vlerësimit të Kartelës Matëse të Autonomisë Universitare në Kosovë bëri të ditur se edhe ligji i arsimit të lartë pritet që të ndryshojë.

“Ne jemi edhe në proces të rishikimit të Ligjit të arsimit të lartë, i cili ligj tutje presim që të forcojë autonominë e universiteteve dhe njëkohësisht do të kërkojë që universitetet po ashtu, krahas autonomisë së tyre akademike të rrisin edhe llogaridhënien karshi shpenzimit të fondeve publike”.

Universiteti i Prishtinës.

Sipas Nagavcit, “me këto reforma synojnë të rrisin mundësinë për integrimin e Kosovës në hapësirën evropiane të arsimit të lartë dhe hapësirën evropiane të kërkimit”.

Ndërkaq, rektorati i Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti theksoi se autonomia universitare nuk është vetëm privilegj.

“Autonomia universitare para së gjithash është përgjegjësi për ngritjen e kapaciteteve menaxhuese me qëllim të sigurimit të funksionimit efikas, transparent dhe me llogaridhënie adekuate në raport me të gjitha zhvillimet brenda universitetit”, tha Sahiti.

Tutje ai shprehet se projekti STAND është i rëndësishëm për avancimin e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.

Por po ashtu, “në aspektin e zhvillimit të një skeme të qëndrueshme të funksionimit efikas dhe autonom të arsimit të lartë, skema këto, të cilat nuk është se janë të zhvilluara në asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor të cilat janë pjesë e projektit aktual”.

Edhe koordinatorja e projektit STAND, Mihone Kerolli-Mustafa, potencoi se raporti që paraqet gjendjen e autonomisë universitare po zhvillohet në një kohë kur ka edhe reforma në arsimin e lartë.

“Projekti po zhvillohet edhe në kohën kur janë duke u zhvilluar reforma të reja në arsimin e lartë në Kosovë, por në të njëjtën kohë kemi edhe zhvillime të cilat janë duke u bërë mbi reformat e arsimit të lartë edhe në Shqipëri, në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut”.

Ky takim është zhvilluar në kuadër të projektit, “Fuqizimi i autonomisë së universiteteve dhe ngritja e llogaridhënies dhe transparencës në universitetet e Ballkanit Perëndimor-STAND”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore