Lajme

Marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri ndër më të mirat, thotë Malaj


Petrit Malaj

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka vlerësuar se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë në aspektin politik janë ndër më të mirat e mundshme që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008

Sipas tij gjithçka funksionon në mënyrën më të mirë të mundshme nga siguria deri te arsimi e kultura, por që pa dyshim gjithmonë ka hapësirë për përmirësime.

“E them këtë edhe nga marrëdhëniet që kam me politikën këtu në Kosovë, por edhe me njerëzit e thjeshtë, kështu që ato janë të mira dhe janë më të mirat e mundshme ndoshta që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kjo është edhe fjala që kam marrë edhe nga politikanët këtu në Kosovë”, ka thënë ai në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Kosova Press.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, diplomati shqiptar ka potencuar se Tirana zyrtare është për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë garanci se ky mekanizëm nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

“Kuptohet që aleati ynë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, QUINT-i të gjithë e kanë thënë dhe e thonë fort që ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nga ana tjetër duhet patjetër të ekzekutohet patjetër duke shkuar në Gjykatën Kushtetuese, duke marrë vërejtjet siç po ndodhë”, ka theksuar ai.

I pyetur për projektin e hekurudhës Prishtinë – Durrës, Malaj ka thënë se është hap madhor për zhvillimin ekonomik.

“Kam takuar një nga ministrat e Qeverisë Kurti, pikërisht kemi biseduar edhe për investimet e tjera në infrastrukturë siç është edhe projekt ideja e hekurudhës Prishtinë-Durrës, kjo është një gjë madhore për zhvillimin ekonomik. Ajo do të sjellë zhvillim jo vetëm nga pikëpamja e lëvizjes së lirë dhe njerëzve, por edhe lëvizjes së mallrave”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore