Lajme

‘Lufta nuk njeh fe’, Kisha më e vjetër e Gazës strehon edhe myslimanët


Kur një sulm ajror izraelit shkatërroi shtëpinë e Walaa Sobeh, myslimania palestineze kërkoi strehim në kishën më të vjetër të Gazës.

Në Kishën e Shën Porfirit, ajo gjeti jo vetëm një vend të shenjtë, por një ndjenjë të përkatësisë si “në familje”.

Atje, të bashkuar nga terrori i bombave që shpërthyen rreth tyre dhe shpresa se mund t’i mbijetonin sulmeve të Izraelit.

Ajo u telefonoi të afërmve të tjerë në Gazën veriore dhe u kërkoi që të shkonin edhe ata në kishë.

Sobeh dhe familja e saj janë në mesin e qindra palestinezëve me besime të ndryshme që kanë gjetur siguri në kishë.

Në një kohë kur sulmi vdekjeprurës i Hamasit mbi Izraelin më 7 tetor dhe bombardimet e mëvonshme të Gazës nga Izraeli kanë shkaktuar një rritje të islamofobisë në disa pjesë të botës, kisha ortodokse greke është shfaqur si një emblemë e një identiteti më të thellë.

“Ne jemi këtu duke jetuar ditën, nuk jemi të sigurt nëse mund t’ia dalim natës. Por ajo që na lehtëson dhimbjen është shpirti i përulur dhe i ngrohtë i të gjithëve përreth”, ka treguar Sobeh.

Ajo ka dalluar “mbështetjen e madhe nga priftërinjtë dhe njerëzit e tjerë në kishë, të cilët vullnetarisht angazhohen gjatë gjithë kohës për të ndihmuar familjet e zhvendosura”.

Deri më tani, kisha u ka shpëtuar raketave izraelite.

“Ushtria izraelite ka bombarduar shumë vende të shenjta”, ka thënë At Elias.

Ai ka thënë po ashtu se nuk është “i sigurt që Izraeli nuk do ta bombardojë kishën”, edhe pse siguron strehim për qindra civilë.

Bombat izraelite kanë goditur disa xhami dhe shkolla që strehojnë njerëz, shtëpitë e të cilëve janë hedhur në erë.

Çdo goditje ndaj kishës “nuk do të ishte vetëm një sulm ndaj fesë, e cila është një vepër e turpshme, por edhe një sulm ndaj njerëzimit”, ka ravijëzuar At Elias.

“Të qenit njerëz na thërret të ofrojmë paqe dhe ngrohtësi për të gjithë në nevojë”, ka shtuar ai.

Ndërtuar midis viteve 1150 dhe 1160 dhe i emëruar sipas peshkopit të Gazës të shekullit të V-të, Shën Porfiri ka dhënë ngushëllim për brezat e palestinezëve në Gaza, veçanërisht në kohë frike.

Teksa klithmat e fëmijëve dhe të atyre që janë të shqetësuar duke vazhduar të jetojnë në Gaza nën bombardimet izraelite jehojnë në një hapësirë dikur të mbushur me lutje dhe himne, ka shpresë.

Oborret e lashta të kishës dhe korridoret e mbrojtura ofrojnë strehë si për myslimanët ashtu edhe për të krishterët, “pasi lufta nuk njeh fe”, sipas At Elias.

Për Sobeh, fakti që familjet e feve të ndryshme janë së bashku nën çatitë e kishës mes traumës së bombardimeve është në vetvete një akt rezistence.

“Qëllimi i Izraelit është të shkatërrojë komunitetin tonë dhe të na zhvendosë”, ka thënë ajo.

“Ata mund të jenë në gjendje të na vrasin. Por ne do të vazhdojmë të jemi së bashku si palestinezë, të vdekur dhe të gjallë, myslimanë dhe të krishterë”.

Marrë nga “Al Jazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore