Lajme

“Letrat e Pandorës” kapin pasuritë e ministrit dhe kumbarës së Vuçiçit


Nikola Petroviç dhe Aleksandar Vucic

Gazeta investigative KRIK, përmes hapjes dhe raportimit të Letrave të Pandorës, hodhi dritë mbi 24 apartamentet luksoze në bregdetin bullgar, të Ministrit të Financave të Serbisë, Sinisha Malli.

Këto banesa, ministri serb i financave, siç raportohet, i kishte blerë sa ishte këshilltar i Aleksandër Vuçiçit, i cili në atë kohë ishte zëvendëskryeministër i Serbisë.

“Në atë kohë Sinisha Malli ishte në krye të negociatave me Emiratet e Bashkuara Arabe në investimet në projekte kapitale – privatizimin e ndërmarrjes ‘Jat’ dhe ndërtimin e projektit ‘Beogradi mbi Ujë’”, shkroi gazeta KRIK.

“Para kësaj, ministri i financave në letrat e pandorës doli si drejtori i kompanisë që bleu banesat, kurse tash është bërë krejtësisht e ditur se ishte edhe pronari”, thotë gazetarja e KRIK, Dragana Peço.

Tash, thotë ajo, ministri duhet të shpjegojë origjinën e parave.

Bëhet fjalë për banesa me vlerë 5 milionë euro.

Drew Sullivan, një nga themeluesit e Projektit të Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), i cili gjithashtu publikoi Letrat e Pandorës, tha se pret që të fillojnë hetimet në shumë vende, individët e të cilëve janë përmendur, por nuk pret që presidenti serb të dorëzon ministrin e tij, Sinisha Mallin.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. dhe Ministri i Financave, Sinisha Malli

“Në Serbi, Ministri i Financave, Sinisa Mali, ka thënë vazhdimisht se nuk është pronar i atyre 24 apartamenteve në Bullgari që i ka marrë nga kompania ruse e naftës “Lukoil”. Ne e kapëm atë duke gënjyer në çdo fazë. Ai ishte në fakt pronar i atyre apartamenteve nga fillimi në fund. Ai e dinte gjatë gjithë kohës. Ai është Ministri i Financave i Serbisë, nuk mendoj se Vuçiç do ta heqë qafe”, tha Sullivan

“Ky është rezultat i korrupsionit, kur ju nuk po merreni me korrupsion të konsiderueshëm, njerëz të përfshirë në krimin e organizuar dhe vjedhin pronat shtetërore. Ata duhet të zëvendësohen”, potenci Sullivan në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues (ICIJ) publikoi gjetjet e hetimit të dielën në mbrëmje, në të cilat u përfshinë rreth 600 gazetarë që gjetën emrat e rreth 35 udhëheqësve aktualë dhe të mëparshëm të vendeve, si dhe qindra zyrtarëve, siç janë gjyqtarët, ministrat dhe kryetarët e bashkive.

Kumbara i Vuçiçit

Nikolla Petroviç, kumbara i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ishte pronari i kompanisë “Arkshore International” në “British Virgin Island”, përmes të cilave kishte llogari bankare në Zvicër, të cilat nuk i kishte raportuar në Agjensinë Kundër Korrupsionit – gjë që është ligjërisht e obligueshme.

Këtë e bënë të ditur gjithashtu gazeta investigative KRIK.

Në kohën kur ai ishte drejtor i kompanisë shtetërore “Elektromreža Srbije” (EMS), Nikola Petroviç, ka vendosur që, fshehtazi, të bëhet pronar i kompanisë private të huaj, shkruan KRIK.

Kumbara i Vuçiçit, Nikolla Petroviç

“Ai zgjodhi Ishujt e Virgjër Britanikë (BVI) si vendin për të pasur kompaninë. Ky komb i vogël ishullor në Detin e Karaibeve është një destinacion famëkeq në det të hapur, sepse të dhënat për pronarët e kompanive në këtë vend mbahen si një sekret i lartë. Kjo do të thotë që çdokush mund të fillojë një kompani atje dhe pothuajse askush nuk merr vesh për të”, raportuan gazeta investigative serbe.

Sidoqoftë, dihet se Petrovic, një nga njerëzit më me ndikim në Serbi dhe kumbari i Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, ka qenë pronar i kompanisë në këtë vend ekzotik që nga viti 2016, falë faktit se gazetarët në projektin ndërkombëtar “Gazetat e Pandorës” arritën të shtien në dorë afër 12 milionë dokumente mbi themelimin e kompanive.

Kompania në det të hapur e Petroviç mban emër disi biblik – “Arkshore International LTD”. Emri i tij është një kombinim i fjalës “arkë” që do të thotë një varkë që Noah e ndërtoi sipas Biblës për të shpëtuar veten, familjen dhe kafshët e tij nga përmbytja dhe fjalën “breg”.

Petroviç, këtë “varkë” e përdori për të hapur llogari në një bankë zvicerane. Meqenëse ishte fshehurazi pronar i kompanisë, ai gjithashtu u fsheh si pronar i llogarisë.

Për të bërë të gjitha këto, Petroviç kontraktoi tre agjenci: kompaninë konsulente zvicerane “Fidinam”, përmes së cilës komunikoi me agjencinë “Alcogal” nga Panamaja, e cila themeloi një kompani në det të hapur, ndërsa zyra juridike “Monfrini Bitton Klein “gjithashtu u kujdes për dokumentacionin e kompanisë nga Zvicra. Kumbari i presidentit.

Nikolla Petroviç

Petrovic nuk e raportoi kompaninë në det të hapur në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, siç është konfirmuar nga ky institucion për mediet serbe, edhe pse ishte i detyruar me ligj ta bënte këtë.

Të gjithë personat që mbajnë poste shtetërore në Serbi duhet të zbulojnë publikisht punët dhe pronën e tyre, dhe ata që nuk e bëjnë këtë rrezikojnë të ndiqen penalisht.

Petroviçi këtë informacion nuk e ka fshehur vetëm në Serbi.

Dokumentet zbulojnë gjithashtu se nga agjencia “Alcogal”, e cila u punësua për të hapur një kompani në det të hapur, avokatët e Petroviç u përpoqën të fshehin se ai ishte një zyrtar publik – ndoshta për të shmangur kontrollet shtesë.

“Alcogal”, megjithatë, zbuloi se kush ishte Petroviç dhe ishte i listuar në bazën e të dhënave të tyre si një “klient me rrezik të lartë”.

Kompania “Arkshore” ekziston ende, por ka qenë joaktive që nga Nëntori 2019, sipas të dhënave nga regjistri i biznesit të Ishujve të Virgjër Britanikë.

Gazetarët e KRIK kanë tentuar të kontaktojnë atë, por i njëjti s’është përgjigjur në asnjë formë. As me zë e as me shkrim.

Në fillim të vitit 2016, Petroviç hyri në vitin e fundit të menaxhimit të kompanisë shtetërore EMS, të cilën e mori pasi kumbari i tij Aleksandar Vuçiç dhe Partia Progresive Serbe (SNS) erdhën në pushtet në 2012.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore