Lajme

Lansohet pulla postare, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”


Filatelia e Postës së Kosovës duke filluar nga sot (e premte, 9 qershor) ka lëshuar në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare të titulluar “Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’”.

Aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari, i destinuar në jugperëndim të kryeqytetit kosovar, frekuentohet nga më shumë se 2 milionë pasagjerë në vit si dhe paraqet portin e vetëm të hyrjes për udhëtimet ajrore në Kosovë.

Emisioni përbëhet nga një pullë postare dhe zarfi i ditës së parë që do të jenë në qarkullim postar deri në konsum të plotë.

Përndryshe, emërtimi i aeroportit erdhi në shenjë nderi ndaj heroit kombëtar Adem Jashari, i cili ishte edhe themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pista është ndërtuar në vitin 1965 dhe është shfrytëzuar kryesisht si aeroport ushtarak, ndërsa në vitin 1985 aeroporti është pajisur në përputhshmëri me standardet e ICAO-së.

Deri në muajin qershor të vitit 1999, aeroporti ka pasur vetëm trafik të brendshëm, por që nga ajo kohë, ka arritur të krijojë lidhje të rregullta për udhëtarë si dhe për shkëmbim të mallrave.

Tanimë aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” cilësohet si një urë lidhëse më e afërt e bashkatdhetarëve tanë me atdheun, kjo pasi që në vitin 2013, i njëjti ka ndërtuar terminalin e ri, ndërsa pesë vjet më vonë është certifikuar për shërbime me standarde evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore