Lajme

Lajçak: S’është koha për ta hapur urën mbi Ibër


Miroslav Lajçak

Atmosfera aktuale në pjesën veriore të Kosovës, sipas të deleguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është e përshtatshme për ta hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për qarkullim të makinave.

“Përderisa flasim, në Mitrovicë ka kërkesë për ta hapur urën dhe atmosfera dukshëm s’është e duhura për këtë. Dua ta shfrytëzoj këtë panel që të dërgoj mesazh se kjo është platforma e duhur (për dialogun). Ky plan është fitore e dyfishtë, ka shumë përfitime për të dyja palët dhe duhet të respektohen vijat e kuqe”, ka thënë Lajçaku në kuadër të Forumit të Delphit në Greqi duke iu referuar Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Ndryshe kryesuesi i Kuvendit komunal në Mitrovicë të Veriut, Nedzat Ugljanin, të premten ka njoftuar se është marr vendimi që të hapet ura mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve në emër të lëvizjes së lirë.

Megjithatë vendimin e Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut e ka kundërshtuar me gjuhë të ashpër Lista Serbe.

Përmes një njoftimi partia më e madhe në mesin e serbëve dhe kontrolluesit faktit të Veriut të cilët bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit ka bërë të ditur se e “dënojnë ashpër vendimin e kundërligjshëm dhe jolegjitmit të këtij kuvendi”.

Hapja e urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve sipas Listës Serbe, përves se është kundër Marrëveshjeve të Brukselit e kërcënon në mënyrë të drejtpërdrejtë paqen në këtë zonë.

“Duam të paralajmërojmë se hapja eventuale e urës padyshim që do të shkaktojë incidente në këtë zonë, gjë që duket se është edhe synimi i Prishtinës. Ky vendim i paligjshëm i marrë asamblistë pa asnjë legjitimitet mes qytetarëve, do të ketë pasoja të mëdha për paqen, sigurinë dhe bashkëjetesën në këto zona”, thuhet fillimisht në njoftim.

Sipas pretendimeve të Listës Serbe ky vendim “është vazhdim i pushtimit të Veriut nga Albin Kurti”.

“Kërkojmë që KFOR-i, EULEX-i dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare urgjentisht të pengojnë zbatimin e këtij vendimi, t’i japin hapësirë për zgjidhjen e çështjeve të hapura në dialog dhe në këtë mënyrë të ruajnë paqen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore