Lajme

Kusari: E mbështesim kërkesën e opozitës për raportim të Kurtit në Kuvend


Shefja e grupit paralajmëtar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, ka thënë i mbështetet thirrjet e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në të cilën do ftohej për të raportuar kryeministri Albin Kurti, pas kidnapimit të tre policëve kosovarë nga Serbia.

“E mbështesim kërkesën tuaj për mbajtjen e seancës, siç i kemi mbështetur të gjitha kërkesat për raportimin e kryeministrit për dialogun me Serbinë”, tha Kusari në seancën e Kuvendit.

“Por ne duhet të vazhdojmë punën derisa të marrim një përgjigje nga kryeministri. Sot ky kuvend e përçon mesazhin e unitetit”, shtoi ajo.

Ajo ka theksuar se të gjithë janë të preokupuar me ngjarjet e fundit dhe aktin barbar të Serbisë, pasi ka kidnapuar tre policë të Kosovës.

“Policët ishin në territorin e Kosovës. Ky Kuvend e ka për detyrë të mbrojë sovranitetin e vendit. Ky Kuvend është vendi i demokracisë dhe përplasjes dhe vendimeve”.

Po ashtu Kusari ka theksuar se të mërkurën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbajti fjalimin historik në Parlamentin Evropian duke e prezantuar Kosovën në ngjyra dhe mënyrën më të mirë të mundshme.

“Dje Kosova vazhdoi masën e paraburgimit për një kriminel e në të njëjtën ditë Serbia hyri në territorin e Kosovës dhe cenoi sovranitetin. Nuk ka krahasim në këto ngjarje. Më e mira e mundshme që mund të bëjmë sot është të vazhdojmë me detyrat tona dhe në këtë mënyrë të përcjellim mesazh uniteti”, ka thënë ajo.

Paraprakisht, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjfuca, që ta ftojë për të raportuar në Kuvend kryeministrin Albin Kurti pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga Serbia.

“Prioritet duhet të jetë kthimi i policëve tanë në Kosovë. Kryetar, ju lutem që ta kontaktoni kryeministrin Kurti që ta ftoni në një seancë sot për të raportuar se cilat janë veprimet e Qeverisë që janë duke ndërmarr për kthimin e policëve tonë, por edhe për situatën e sigurisë”, theksoi Krasniqi.

Sipas tij, situata në Kosovë “nuk është normale”, pasi rrëmbimit të policëve nga Serbia.

Kurti i çuditur në konferencën e tij të çuditshme

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore