Lajme

Kurti udhëton për në Bruksel


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar këtë të enjte për në Bruksel të Belgjikës.

Siç ka njoftuar zyra e kryeministrit, Kurti me ftesë të Presidentit të Partisë së Socialistëve Evropianë, Stefan Lofven, ka udhëtuar për në kryeqendrën evropiane, për të marrë pjesë në takimin përgatitor të Këshillit të Bashkimit Evropian me kryeministra, liderë partiakë dhe komisionerë nga radhët e familjes së PES dhe për të diskutuar rreth agjendës së Këshillit.

Ndërsa, më 9 dhjetor, Kurti, në margjinat e Kongresit të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), në Berlin, ishte takuar me bashkëkryetarin e SPD-së, Lars Klingbeil, të cilit i kishte thënë se vendi që ai udhëheqë vazhdon që të jetë palë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Lajmi ishte bërë i ditur nga vetë Kurti përmes një postimi në llogarinë e tij në platformën X, ku theksoi ta ketë bërë të qartë këndvështrimin e Kosovës se Ballkani i përket BE-së.

“Aspiratat e Kosovës në BE u konfirmuan me aplikimin tonë të fundit për anëtarësim. Gjithashtu ritheksova angazhimin tonë për dialogun, në të cilin Kosova vazhdon të jetë pala konstruktive”, shkroi Kurti.

Në margjinat e këtij samiti, kryeministri ishte takuar me Sekretaren e Përgjithshme të Internacionales Socialiste, Benedicta Lasi, me të cilën, siç shkruante Kurti në X, ka biseduar për bashkëpunimin në promovimin e vlerave të përbashkëta.

“E rikonfirmova angazhimin tonë për të intensifikuar bashkëpunimin ndërkombëtar në promovimin e vlerave të përbashkëta si drejtësia dhe mundësitë e barabarta, dhe në luftën kundër ekstremizmit të krahut të djathtë, me zgjedhje në horizont në shumë vende”, shkroi Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore