Lajme

Kurti: S’ndihem i rrezikuar nga kërcënimet, organet e sigurisë i vlerësojnë ato (VIDEO)


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ndihet i rrezikuar pas kërcënimeve që iu bënë të mërkurën e 27 tetorit, me ç’ rast edhe u rritën masat e sigurisë në shtëpinë e tij në lagjen ‘Taslixhe’ në Prishtinë.

Ai në një konferencë për media, ka thënë se “janë mekanizmat e shtetit ato që i bëjnë vlerësimet që bëhen në rrjete sociale”.

“Së pari unë nuk ndihem i rrezikuar, por janë organet e sigurisë që i vlerësojnë kërcënimet dhe i ndërmarrin veprimet në përputhje me rrethanat e caktuara”, është shprehur Kurti.

Madje ai ka theksuar se ky kërcënim nuk e ka penguar në punën e përditshme si kryeministër.

“Unë as dje as sot nuk e kam ndryshuar agjendën time. Janë mekanizmat e shtetit që i bëjnë vlerësimet që bëhen në rrjete sociale, është e pamundur që të merren me kërcënimet”, shtoi ai.

Një burim brenda Policisë së Kosovës, e ka konfirmuar për Albanian Post se forcat e rendit janë shtuar te shtëpia e Kurtit.

Shtëpia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti

“Ka një kërcënim, i kemi rritë masat e sigurisë”, tha shkurt.

Edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, e ka konfirmuar për Albanian Post se shefi i tij është kërcënuar.

“Kryeministri Kurti është kërcënuar. Për këtë arsye, si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë”, theksoi Kryeziu.

“Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë tashmë janë duke bërë punën e tyre”.

Në anën tjetër, Kurti është pyetur nga gazetarët se çka do të veprohet meqë ka pasur paralajmërime nga Lista Serbe, nga Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiç, për tërheqje nga institucionet e Kosovës në rast se nuk do të nisin bisedimet për Asociacionin deri në fund të muajit të ardhshëm.

“Nuk ka arsye dhe as shkaqe që përfaqësuesit e serbë në institucionet e Kosovës t’i braktisin ato”, ka deklaruar Kurti.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç

“Nëse bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës për formimin e AKS-së nuk fillojnë muajin e ardhshëm, tani po i informoj të gjithë faktorët përkatës, kryesisht qytetarët tanë, se ne do të lëmë pozicionet tona dhe do të japim dorëheqjen (nga Institucionet e Republikës së Kosovës)”, kishte deklaruar Rakiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore