Lajme

Kërcënohet Kurti – shtohen forcat e policisë te shtëpia e tij


Shtëpia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë kërcënime, derisa shtëpinë e tij në lagjen ‘Taslixhe’ në Prishtinë po e ruajnë Njësia e Reagimit të Shpejtë të Policisë.

Organet e rendit po e ruajnë shtëpinë e Kurtit për shkak të kërcënimit ndaj këtij të fundit.

Një burim brenda Policisë së Kosovës, e ka konfirmuar për Albanian Post se forcat e rendit janë shtuar te shtëpia e Kurtit.

“Ka një kërcënim, i kemi rritë masat e sigurisë”, tha shkurt.

Edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, e ka konfirmuar për Albanian Post se shefi i tij është kërcënuar.

“Kryeministri Kurti është kërcënuar.  Për këtë arsye, si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë”, theksoi Kryeziu.

“Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë tashmë janë duke bërë punën e tyre”.

“Ato bëjnë vlerësimet e nevojshme dhe ndërmarrin masat përkatëse. Në anën tjetër, kryeministri vazhdon angazhimin e tij të rregullt”, shtoi Kryeziu.

AP ka provuar ta konfirmojë një gjë të tillë edhe nga Policia e Kosovës, por askush nga zyra për informim nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore