Lajme

Kurti sërish me kritika: BE-ja e SHBA-ja kanë vënë bast për kalin e gabuar në Serbi – Masa ndëshkuese ndaj meje, falje për Vuçiçin


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për njërën nga gazetat më të lexuara kroate “Vecernji List”, ka kritikuar sërish qasjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kur është pyetur për marrëdhëniet me bashkësinë e organizuar ndërkombëtare dhe arsyet që e detyruan atë të drejtojë gishtin nga Qeveria e Kosovës për tensionimin e situatës në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë, kryeministri Kurti ka thënë se BE-ja e SHBA-ja kanë vënë bast për “kalin e gabuar” në Serbi.

“Brukseli dhe Uashingtoni kanë vënë bast për kalin e gabuar në Serbi, në presidentin e atjeshëm [Aleksandër Vuçiç]. Në fund doli që nuk ishte fare kalë, por dhelpër”, ka thënë kryeministri, ndërsa ka shtuar se “në vend të reflektimit dhe introspeksionit të tyre, ata më godasin mua”.

Kosova dhe Serbia kanë dhënë dakordimin e tyre për Aneksin Zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha përfaqësuesve të BE-së në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.

Këtij teksti – ashtu sikurse më 27 shkurt në Bruksel – i ka munguar një aspekt i rëndësishëm: nënshkrimet e dy lojtarëve kryesorë – kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, prandaj sipas kreu të ekzekutivit kosovar, për këtë arsye “jemi në një situatë në të cilën ekziston asimetri drastike në qasje”.

“Brukseli dhe Uashingtoni e lejuan Vuçiçin që të mos e nënshkruante marrëveshjen nga Brukseli dhe Ohri, pastaj që ta shkelte atë marrëveshje dhe ja ku jemi në një situatë në të cilën ekziston asimetri drastike në qasje. Masa ndëshkuese ndaj meje, dhe nga ana tjetër falje për presidentin Vuçiç. Kjo është një padrejtësi”, ka thënë ai.

Ai ndër të tjera ka konsideruar se bashkësia e organizuar ndërkombëtare është e vetëdijshme se ka të bëjë me një “ekstremist të djathtë”, i cili, sipas tij, në rotacion krijon probleme në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë, ndërsa ka shtuar se ekziton një hendek midis drejtësisë dhe frikës nga destabilizimi.

“Prandaj, sa herë që Beogradi bën një gjest pozitiv, ata e zmadhojnë atë, sepse kanë pritshmëri jashtëzakonisht të ulëta. Në këtë kuptim, komuniteti ndërkombëtar, paradoksalisht, është më optimist për Vuçiçin sesa për veten”, ka shtuar kryeministri Kurti.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka shprehur sërish domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve në “mënyrë evropiane” duke zbatuar marrëveshjen me të 11 pikat, për të cilën arritën pajtim në Bruksel më 27 shkurt, ndërsa kjo sipas tij, para së gjithash është njohje reciproke de facto.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore