Lajme

Kurti pritet nga Macroni në Pallatin Elysee


Albin Kurti dhe Emmanuel Macron

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpërndarë në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook” të enjten në mbrëmje disa fotografi nga pritja e presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron, para fillimit të edicionit të pestë të Forumit të Paqes (PPF), i cili do t’i fillojë punimet mes 10 dhe 11 nëntorit në Paris.

Ai ka udhëtuar të mërkurën drejt Francës, ku me ftesë të presidentit francez, do të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të PPF-së, derisa pritet të jetë pjesë e darkës me krerët e shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse të enjten, ndërsa të shtunën (11 nëntor) do të marrë pjesë në një panel diskutimi, por pritet të ketë edhe aktivitete të tjera, përfshirë takime bilaterale.

PPF-ja është një event madhor tradicional, ku liderët botërorë, diplomatët, krerët e organizatave ndërkombëtare dhe personalitete të shoqërisë civile mblidhen për të adresuar nevojat e bashkëpunimit të shteteve për çështje të ndërvarura, posaçërisht në kohëra të turbulencave ndërkombëtare e nën trysninë e kërcënimeve të sigurisë.

Albanian Post ka kuptuar nga burime ndërkombëtare se kryeministri kosovar dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, pritet të takohet në kuadër të PPF-së për të diskutuar hapat e radhës drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) në kuadër të përpjekeve të bashkësisë ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore