Lajme

Kurti: Në Pakon e Ringjalljes ekonomike, vëmendje të veçantë i është dhënë fuqizimit të grave


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në forumin “Gratë në Ndërmarrësi”, me të cilin u hap “Java e Ndërmarrësisë”, organizuar nga Oda Amerikane në Kosovë, ka thënë se “gratë janë shumë më pak në ndërmarrësi krahasuar me burrat. Por, ato që janë, ta zëmë 11 për qind, ndoshta numërojnë sfida më shumë se sa rreth 90 për qind e burrave në ndërmarrësi”.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se Kurti ka theksuar se “sot mund t’i listojmë sfidat, por edhe të arriturat, t’ua njohim meritat dhe përpjekjet grave, që tashmë janë në biznes”.

Ai potencoi se me shembullin e tyre, ato janë duke inkurajuar edhe shumë gra të tjera, kurse me kontributin që japin, janë duke e ndihmuar punësimin, tregun dhe ekonominë.

“Andaj, në kuadër të Pakos së ringjalljes ekonomike, vëmendje të veçantë i është dhënë fuqizimit të grave në ekonomi e shoqëri, tha kryeministri, teksa shpjegoi Masën 1.3 – Mbështetja e punësimit të grave, me të cilën është paraparë që secila grua që nuk ka qenë e punësuar në tre muajt e fundit e që është punësuar, t’i subvencionohet 50 për qind e pagës për tre muajt e parë, deri në maksimumin prej 150 euro në muaj’, thuhet në njoftim për media nga Zyra e Kurtit.

“Pas periudhës tre mujore grave të punësuara u subvencionohet kontributi pensional deri në qershor të vitit 2022.Duke e konsideruar rëndësinë e mbështetjes së grave në fushën e biznesit, këto masa do të aplikohen edhe për bizneset në pronësi të grave, pavarësisht sektorit”.

Forumi “Gratë në Ndërmarrësi”

Më tej, ai shtoi se “mbështetja e bizneseve të grave – është masa tjetër, nëpërmjet të cilës të gjitha gratë që kanë në pronësi biznese dhe që dëshirojnë të zgjerojnë biznesin e tyre, mund të aplikojnë për subvencionim të kredisë investive deri në 20 për qind të kryegjësë, pra duke mos marrë parasysh sektorin në të cilin e kanë ndërmarrësinë e tyre”.

Sipas këtij njoftimi, Kurti ka potencuar se me Projektligjin për buxhetin e vitit 2022, i cili u miratua në Qeveri ditë më parë, do të fillojë ndërtimi i 50 çerdheve në tërë vendin, që fëmijët të kenë kujdesin e duhur e gratë të integrohen në tregun e punës, dhe sidomos nënat të kenë më shumë kohë për studim e punë.

“Ne jemi këtu për juve, bashkërisht ta shpiejmë përpara zhvillimin dhe barazinë në shtetin tonë. E ne nuk besojmë që mund të kemi barazi në shoqëri, pa barazi gjinore”, shtoi Kurti

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore