Lajme

“Kurti i shërben agjendave armiqësore të Kosovës, ShBA të iniciojë hetim”


Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, thotë se ka kohë që partia e saj ka ngritur dyshimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shërben agjendave armiqësore.

“Thirrje publike për aleatët tanë – ShBA-të, që të iniciojnë një hetim të pavarur rreth këtyre temave”,ka shkruar ajo në Facebook.

“A ka Kurti lidhje me mafinë energjetike serbo-ruse?”, ka pyetur ajo.

Ajo po ashtu ka shprehur dyshimin e saj se Kurti e ka anuluar ndërtimin e termocentralit të ri gazësjellit amerikan, “për t’i favorizuar lidhjet e tij përmes Martin Berishajt në Serbi”.

“A qëndron fakti që Kurti i anuloi dy projektet kryesore amerikane në Kosovë; ndërtimin e termocentralit të ri dhe projektin e gazsjellësit amerikan, për t’i favorizuar lidhjet e tij përmes Martin Berishajt në Serbi, e deri tek oligarkët rus?”, ka vazhduar me pyetje Kardijaj.

Prandaj, ajo ka theksuar e shpreson që do hetohet kjo temë më seriozisht, pasi që çdo lëvizje e tij e shton dyshimin që “Kurti është i kapur nga armiqtë e Kosovës”.

“Hetim, përgjegjësi dhe drejtësi”.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, shpeshherë e ka akuzuar Kurtin se “po i shërben interesave të Serbisë”, duke bërë dialog teknik me këtë shtet.

Gjatë muajit qershor, në një konferencë për medie, ai pati drejtuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Kurti, duke shprehur dyshime se ai mund të jetë “spiun i Serbisë”.

“Shtrohet edhe një pyetje tjetër që vërtetë na bën të dyshojmë se a është Albini spiun i Serbisë?”, kishte pyetur Haradinaj.

Ndërsa një muaj më parë, kreu i AAK-së pati thënë se “skandalet e njëpasnjëshme të Qeverisë së Kosovës”, e bëjnë kryeministrin Albin Kurti “politikanin më qesharak dhe më të dëmshëm dhe në historinë më të re të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore