Lajme

Kurti dhe Jashari diskutojnë për të ardhmen e FSK-së


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe komandanti i ri i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneralmajor Bashkim Jashari

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me komandantin e ri të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneralmajor Bashkim Jashari, ku kanë diskutuar për të ardhmën e FSK-së.

Për takimin e së premtes së tre dhjetorit mes Kurtit dhe Jasharit ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Sipas një njoftimi të kësaj zyre thuhet se në takim është diskutuar për fatin e FSK-së.

“Me Komandantin e FSK-së Jashari, kryeministri Kurti bisedoi për rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve dhe modernizimit të FSK-së dhe mbështetjen që FSK ka nga Qeveria e Republikës së Kosovës në arritjen e këtyre synimeve”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe komandanti i ri i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneralmajor Bashkim Jashari

Nga ana tjetër thuhet se Komandanti i ri i FSK-së, gjeneralmajor Bashkim Jashari, e ka falënderuar kryeministrin Kurti “për mikpritjen e sotme e edhe më shumë për besimin e tij”.

“Ai e siguroi kryeministrin se do të angazhohet maksimalisht për të plotësuar objektivat e përbashkëta, për ta bërë FSK-në forcë moderne që është e gatshme për të mbrojtur vendin edhe për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale”, thuhet në përfundim të njoftimit të Zyrës së Kryeministrit.

Jashari, gjatë ditës së mërkurë, pra me një dhjetor, një ditë pas emërimit të tij si komandant  i FSK-së ka marrë detyrën zyrtarisht, por pa ndonjë ceremoni zyrtare.

Kjo për Albanian Post ishte bërë e ditur nga drejtori i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun, Ibrahim Shala.

“Do ta pranojë detyrën sot. Koha nuk dihet ende për shkak të agjendës. Do të jetë një protokoll i brendshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore