Lajme

Kurti: Aleati i Rusisë po bën përpjekje për të shtrembëruar të vërtetën, të kaluarën dhe të tashmen


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një fjalim të rastit në Samitin Global të 8-të të Open Goverment Partnership, ka theksuar se në Kosovë përpjekjet e aleatëve rusë, në këtë rast Serbia, për të shtrembëruar të vërtetën, të kaluarën dhe të tashmen janë të dukshme dhe po intensifikohen.

I pari i Qeverisë akuzoi Serbinë se përmes dezinformimit dhe sjelljeve të tjera dashakeqe në fushën kibernetike, po ndikojnë në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova, ka potencuar se Kurti, është në një kohë të ndjeshme kjo për shkak të procesit të dialogut prandaj kërcënimet kibernetike si dezinformomi, bullizmi në internet dhe forma të tjera si këto janë veçanërisht të dëmshme në këtë fazë.

“Angazhimi i Kosovës për të marrë pjesë në këtë eveniment është shumë e rëndësishme se asnjëherë më parë. Jemi të interesuar të mësojmë nga ju dhe me ju një demokraci dixhitale më të fuqishme për qytetarët tanë”, ka theksuar Kurti.

Kurti, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin, kanë udhëtuar për në Tallinn të Estonisë të mërkurën.

Gjatë ditës, Kurti do të zhvillojë një takim dypalësh me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, krahas takimeve tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore