Lajme

Ku do të vendosen vendvotimet për zgjedhjet e 23 prillit?


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka miratuar zyrtarisht listën e qendrave të votimit në të cilat pritet të votohet pas dhjetë ditësh në zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviq-it, por Albanian Post mëson nga burime të afërta me procesin zgjedhor se kjo pritet të ndodhë të premten.

Për shkak se Lista Serbe, partia më e madhe mes serbëve të Kosovës, ka vendosur t’i bojkotojë zgjedhjet, shkollat vështirë se do të mund të jenë opsion, siç kanë qenë më herët, prandaj, burimet brenda KQZ-së thonë për AP se do të marrin vendimin duke u mbështetur mbi vlerësimin e sigurisë të kryer nga Policia e Kosovës.

Se ku do të votohet më 23 prill, ishte planifikuar të diskutohej edhe në mbledhjet e thirrura nga KQZ të martën dhe të mërkurën, të cilat u shtynë për shkak se nuk ishin mjaftueshëm të përgatitur për diskutimin e pikave të rendit të ditës.

“Mbledhja e planifikuar për sot nuk do të mbahet. Jemi në përgatitje të materialeve për mbledhje, për mbajtjen e së cilës do t’iu njoftojmë me kohë”, deklaroi zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media.

AP merr vesh gjithashtu se si opsion për vendvotime janë dhënë edhe stacionet e policisë.

Gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës

Rasti i fundit, i ndodhur të hënën në mbrëmje, kur një qytetar serb u plagos nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës, në rrugën nacionale Leposaviq-Zveçan, pasi ai kishte refuzuar t’i bindje urdhrit për ndalim, e ka bërë të qartë se siguria atje vazhdon të jetë e cenueshme.

Pos këtij incidenti edhe të tjerë si ai ku janë djegur tetë vetura të serbëve lokalë, kanë ngritur pikëpyetjet për sigurinë e mbajtjes së zgjedhjeve të 23 prillit në katër komunat veriore.

Ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu nuk ka dhënë detaje nëse ekzekutivi ka kërkuar raport për vlerësimin e sigurisë, por thotë që në rast se vlerësohet se nuk duhet të mbahen zgjedhjet, Qeveria do ndryshojë qëndrimin.

“Më lejoni që t’iu njoftoj që nuk kam çfarë të shtoj këtu përveç asaj që e përmenda, në momentin që institucionet e sigurisë do të japin informacione që nuk duhet të mbahen zgjedhjet, atëherë sigurisht që ndryshon edhe qëndrimi. Unë personalisht nuk jam në dijeni, sepse nuk është në mandatin tim, është sigurisht në mandatin e ministrit të Punëve të Brendshme”, ka deklaruar Haxhiu.

Kërkohet shtyrje e procesit zgjedhor në veri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij para deputetëve në Kuvend këtë të enjte, ka kërkuar nga Qeveria që të shtyjë procesin e mbajtjes së zgjedhjeve në veri për shkak të sigurisë.

Kosova, sipas ish-kryeministrit Haradinaj, më mirë të pranojë një çerek humbje sot, një gjysmë humbje nesër, sesa një humbje të plotë në ditën e zgjedhjeve.

“Zgjedhjet e shpallura herën e kaluar nuk arritëm t’i mbajmë dhe po ashtu procesi për t’i mbajtur zgjedhjet tash në Veri nuk është i qëndrueshëm. E pse jemi në këtë gjendje? E dimë fare mirë agjendën e Serbisë edhe të Listës Serbe dhe i dimë kushtëzimet, por a e dimë ne dhe Qeveria në Kosovë rrugën deri te suksesi”, ka pyetur Haradinaj.

Në rast se Kosova insiston në mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, sipas Haradinajt, atëherë qytetarët e Veriut do të votojnë në stacione policore.

“Ju lutem duhet të bëjmë analizë kësaj situate a është në interesin tonë të arrijmë te kjo ditë, çka do të fitojmë në këtë ditë. I bëjë thirrje institucioneve të vendit ta marrin me seriozitet gjendjen në Veri edhe ta marrin një vendim lidhur me këtë situatë”.

 

Çfarë ndodhi?

Zgjedhjet për katër kryetarë komunash veriore të Kosovës dhe dy asamble komunale do të duhej të mbaheshin në dhjetor të vitit të kaluar, por ato u shtynë për 23 prill të këtij vit, pas kërkesës së ndërkombëtarëve që të mos vazhdohet tutje me procedura të rregullta, meqë situata në terren nuk e mundësonte.

Nevoja për zgjedhje lindi pasi në mënyrë të organizuar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tërhoqi kryetarët e komunave, deputetët, ministrat dhe gjithë stafin administrativ nga institucionet e Kosovës.

Largimi nga institucionet u bë si shenjë proteste për disa shkarkime që ndodhën në radhët e policisë, përfshirë komandantin serb të stacionit në veri, meqë ata nuk i përfillen urdhrat e dhëna me vendim qeveritar, për gjobitjen e të gjitha veturave me targa ilegale “KM”.

Më pas, kur qeveria u pajtua ta shtyjë zbatimin e vendimit, Lista Serbe u deklaruar se si kusht për t’u kthyer në institucionet kanë fillimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova është pajtuar që ta themelojë Asociacionin me Marrëveshjen për Rrugën Drejt Normalizimit të Raporteve me Serbinë, por Lista Serbe prapë refuzoi të regjistrohet në Komisionin Qendror Zgjedhor për t’u futur në listë të partive që garojnë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore