Sport

Kryetarja e Parisit: Atletët rusë dhe bjellorusë ‘nuk janë të mirëpritur’ në Lojërat Olimpike


Anne Hidalgo

Katër muaj para fillimit të Lojërave Olimpike në Paris, qëndrimi i paqartë i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për praninë e sportistëve nga Rusia dhe Bjellorusia vazhdon të shkaktojë probleme, me citate dhe reagime të vazhdueshme nga të dyja palët.

Këtë herë, kryetarja e Parisit, Anne Hidalgo, ka thënë se atletët rusë dhe bjellorusë “nuk ishin të mirëpritur” në ngjarjen më të madhe sportive të kësaj vere.

“Dua t’u them sportistëve rusë dhe bjellorusë se ata nuk janë të mirëpritur në Paris. Gjithashtu do të doja t’u them sportistëve ukrainas dhe të gjithë popullit ukrainas se ne i mbështesim ata shumë”, tha ajo në një video të postuar nga kanali ukrainas në YouTube, “United News”.

Hidalgo i bëri komentet e saj në një udhëtim në Kiev ku vizitoi një qendër stërvitore për atletët ukrainas.

Atletët rusë lejohen të garojnë në Lojërat Olimpike të Parisit, të cilat zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht, por vetëm si neutralë. Të dy vendeve u është ndaluar të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes, e cila do të mbahet në lumin Sena në zemër të qytetit.

Si përgjigje, Moska nisi një “sulm” kundër Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, duke argumentuar se kufizimet ndaj atletëve rusë përbënin “racizëm dhe neo-nazizëm”, sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

IOC e pezulloi Rusinë nga Lojërat e 2024 vitin e kaluar, por u dha sportistëve të saj dritën jeshile për të konkurruar si neutralë për sa kohë që ata nuk mbështesin në mënyrë aktive sulmin e Kremlinit ndaj Ukrainës. Siç thuhet rëndom, IOC e hodhi gurin dhe ia fshehu dorën.

IOC duhet të kishte bërë një deklaratë publike duke dënuar Hidalgo për fjalët e saj ose duke e mbështetur atë. Si rezultat, 118 ditë kanë mbetur deri në ceremoninë e hapjes dhe është ende e paqartë se çfarë do të ndodhë me atletët e këtyre vendeve.

Ana Maria Hidalgo me origjinë spanjolle, e njohur si Anne Hidalgo, është anëtare e Partisë Socialiste dhe ka qenë kryetare e bashkisë së Parisit që nga viti 2014, gruaja e parë që mban këtë post.

Hidalgo ka bërë shumë për ta bërë realitet “Paris 2024”, duke punuar me presidentin e komitetit organizativ, Tony Estanguet, por tani komentet e saj në Kiev mund të ngrenë një problem me IOC-në.

A mund të mos mirëpresë ajo atletët që IOC lejon të konkurrojnë?

Rusia dhe Bjellorusia nuk kanë konfirmuar se atletët e tyre do të marrin pjesë si neutralë, përndryshe të dyja vendet do të përfundojnë në bojkot. Ka mendime në të dyja drejtimet. Nga “ne duhet të konkurrojmë gjithsesi” në “nuk do të konkurrojmë pa flamurin dhe himnin tonë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore