Lajme

Kryetari i Zveçanit shkarkon nënkryetaren serbe të komunës


Kryetari i Zvecanit, Ilir Peci.

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka shkarkuar nga pozita e nënkryetares së komunës, Sladjana Pantoviç, e cila vjen nga radhët e komunitetit serb.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Peci përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

“Sot kam vendosur që ta shkarkoj nga detyra nënkryetaren e komunës, zonjën Sladjana Pantoviç”, ka shkruar ai në “Facebook”, duke shtuar se “ky vendim vjen si pasojë e mospërmbushjes së detyrave nga ana e saj, tejkalimit të kompetencave, si dhe mos punës në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunës”.

Ndërkaq, kryetari i Zveçanit, theksoi se pavarësisht këtij vendimi, ai do ta vazhdojë punën e tij në bazë të kompetencave që i parasheh ligji.

“Pavarësisht kësaj, unë do të vazhdoj të punoj dhe shërbej bazuar në obligimet, detyrat dhe kompetencat e mia si kryetar i të gjithë qytetarëve të Komunës së Zveçanit, pa dallim”, përfundoi ai.

Ky shkarkim, vjen disa ditë pasi që zëvendëskryetarja e Komunës së Zveçanit, Slagjana Pantoviç, të mërkurën, njoftoi përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook se kishte takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ç’rast kishin diskutuar për projektet dhe investimet e ardhshme në këtë komunë, investime të cilat, sipas saj, janë jashtëzakonisht të rëndësishme për komunën dhe qytetarë.

“Diskutuam gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet komunës dhe autoriteteve qendrore në Prishtinë. Një nga temat kryesore të bisedës ishte për problemet e përditshme me të cilat ballafaqohen qytetarët e komunës sonë, si papunësia, rastet sociale, ndihma për fermerët e shumë të tjera”, kishte shkruar Pantoviç në Facebook.

Ajo ndër të tjera ka falënderuar kryeministrin, i cili, sipas saj, ka shprehur gatishmëri dhe dëshirë të plotë për të ndihmuar zhvillimin e mëtutjeshëm të Komunës së Zveçanit.

“Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmëri dhe dëshirë për të takuar dhe ndihmuar qytetarët në çdo mënyrë, sepse për të qetësuar pasionet dhe trazirat duhet të ketë bashkëpunim, besim të ndërsjellë dhe ndihmë, sepse pa besim dhe bashkëpunim nuk mund të zgjidhet asgjë, sepse ne po shkojmë kundër vetes dhe kjo nuk është në interesin tonë”, ka shkruar ajo.

Pantoviç takohet me Kurtin, diskutojnë për projektet dhe investimet e ardhshme në Komunën e Zveçanit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore