Lajme

“Kroacia mbështet anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe BE”, thotë Plenkoviç pas takimit me Kurtin


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të mërkurën me kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Takimin e ka bërë të ditur Plenkoviç, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’, ku ka thënë se me kreun e ekzekutivit kosovar kanë diskutuar për situatën në rajon, duke ofruar edhe mbështetje për anëtarësimin e Kosovë në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës.

“Me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti diskutova për situatën në rajon. E përgëzova për heqjen e regjimit të vizave si dhe i shpreha mbështetjen tonë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në rrugën drejt BE-së”, ka shkruar Plekonviç.

Edhe kryeministri përmes një shkrimi në platformën ‘X’, ka thënë se është diskutuar për rritjen dhe progresin ekonomik të Kosovës.

“Si dhe fusha për bashkëpunim të mëtejshëm si arsimi. E falënderova për mbështetjen e Kroacisë në lidhje me sovranitetin, mbrojtjen dhe integritetin tonë territorial”.

Gjatë qëndrimit të tij në Zvicër, Kurti është takuar edhe me anëtarin e Këshillit Federal dhe kreun e departamentit të Drejtësisë, Beat Jans, me të cilin ka diskutuar për luftën kundër korrupsionit dhe krimit në Kosovë.

“Ai shprehu mbështetjen dhe admirimin e tij për luftën e vendit tonë kundër krimit dhe korrupsionit. Ne diskutuam gjithashtu mënyrat për të përmirësuar bashkëpunimin ligjor për një partneritet të fortë”, ka shkruar Kurti.

Më 16 janar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në panairin e ndërtimit “Swiss Bau 2024”, ka deklaruar se në Kosovë është bërë rritja e eksporteve në tri vjetet e fundit duke kaluar shifrën prej 2 miliardë euro.

Kurti, në fjalimin e tij ka thënë se treguesit ekonomik s’janë vetëm shifra, por tregues të vizionit ekonomik të vendit.

“Çdo gjë tregon se do të bëhemi një vendi i orientuar ka eksporti, nuk është e rastësishme që për dy vite e gjysmë janë dyfishuar eksportet, ku në tre vitet e fundit gjithsejtë, vlera e eksporteve të Kosovës, ka arritur në 2.5 miliardë euro. Ndërkaq kjo rritje është më shumë se dyfishi, krahasuar me gjashtë vitet e kaluara”, tha ai.

Ai tutje shtoi se, “Kosova ofron shumë prodhime cilësore”.

Në panairin e ndërtimit Swiss Bau 2024, kanë marrë pjesë 25 kompani.

Më 15 janar, kryeministri Albin Kurti, ka udhëtuar në Zvicër, ku është duke marrë pjesë edhe në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore