Lajme

Krasniqi i dërgon letër Kurtit, kërkon koordinim për situatën në Veri


Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Partia Demokratike e Kosovës përmes një letre dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar që të ketë harmonizim të veprimeve institucionale për situatën e krijuar në Veri.

Përmes një letre të dërguar të hënën nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ai ka thënë se koordinimi mes pushtetit dhe opozitës është i rëndësishëm.

“Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë stabilitetin e shtetit tonë. Me këtë rast, jua shpreh gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit tonë”, thuhet në letrën e Krasniqit.

Letra e PDK-së dërguar Kurtit.

Ai largimin e zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës e ka konsideruar si “shqetësues”.

“Këto veprime cenojnë sovranitetin juridik të shtetit tonë si dhe mbarëvajtjen e rendit publik. Për më shumë, këto zhvillime rrezikojnë t’i kthejnë në pikën zero të gjitha të arriturat e shtetit të Kosovës, në shtrirjen e sovranitetit dhe integrimin institucional të komunitetit serb në komunat e pjesës veriore të vendit”.

Të shtunën, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje për Albanian Post, iu ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që ta shtyjnë menjëherë, pa vonesa, vendimin për targat dhe t’i suspendojnë masat e shkallëzuara për qytetarët serbë.

Masa ‘paraprake’

Në Veri të Kosovës, përkatësisht në pikën kufitare në Jarinjë, është shtuar numri i pjesëtarëve të misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Kjo, pas tërheqjes së “Listës Serbe” nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Policë të EULEX-it nga kontingjenti polak janë duke qëndruar në Jarinje dhe po monitorojnë situatën nga afër.

Gjithashtu, në mes të Jarinjës dhe Mitrovicës së Veriut, edhe ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR-it) janë të stacionuar pranë rrugës kryesore.

Aktualisht, situata është e qetë dhe nuk raportohet për ndonjë incident.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore