Lajme

Kosovës i mundësohet caktimi i Zyrtarit Ndërlidhës në EUROPOL


Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka finalizuar marrëveshjet me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Bashkëpunimin në Zbatimin e Ligjit (EUROPOL), përmes së cilës Kosovës i mundësohet caktimi i Zyrtarit Ndërlidhës formal në EUROPOL.

Kështu ka bërë të ditur Ministri Sveçla përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

“Finalizuam nënshkrimin e marrëveshjeve me EUROPOL, me Drejtoreshën Ekzekutive, Catherine De Bolle, përmes së cilave Kosovës i mundësohet caktimi i Zyrtarit Ndërlidhës formal në EUROPOL dhe krijohet linjë e sigurt e komunikimit dhe shkëmbimit të informacionit me EUROPOL-in”, ka thënë ai.

Sipas tij, marrëveshjet e nënshkruara “janë dëshmi e avancimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në mes të Policisë së Kosovës dhe EUROPOL-it”.

Ilustrim

Në anën tjetër, ministri Sveçla ka thënë se angazhimi i përbashkët në shtimin e marrëveshjeve bilaterale dhe multilaterale për bashkëpunim policor ndërkombëtar, do të vazhdojë me dinamikë të lartë.

Ndërkaq, sa i përket aplikimit për anëtarësim në organizatën ndërkombëtare INTERPOL, Sveçla ka deklaruar se kjo gjë nuk do të ndodhë brenda vitit 2021 derisa ka shtuar se janë duke u bërë përgatitjet për aplikim gjatë vitit 2022.

Është humbje e madhe dhe penalizim në aspektin e sigurisë për Kosovën, por me këtë mungesë aktuale të prezencës diplomatike, institucionet e Kosovës do të ishte mirë të mos aplikonin fare në INTERPOL.

Ilustrim

Ky është mendimi i ekspertëve të sigurisë dhe atyre të marrëdhënieve ndërkombëtare, kur kanë komentuar për Albanian Post anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Besfort Rrecaj, për Albanian Post, ka thënë se mos-anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL është humbje për Kosovën por në të njëjtën kohë është humbje edhe për organizatën.

“Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL duhet të shihet nga ky këndvështrim, pra përfiton Kosova dhe në të njëjtën kohë përfiton edhe vetë INTERPOL sepse në fund të fundit është vetë synimi i kësaj organizate që të lejojë sa më pak vende në botë ku për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe komunikimit të mirëfilltë të mos realizohet misioni i saj”, është shprehur ai.

Po ashtu, i të njëjtit qëndrim është edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala.

Ai për Albanian Post ka thënë se mungesa e mos anëtarësimit në INTERPOL “e penalizon në aspektin e sigurisë Kosovën”, sepse sipas tij, Policia e Kosovës “nuk ka qasje” në databazën botërore të personave me precedencë kriminale.

“Kosova ka dështuar që të arrijë të jetë anëtare e INTERPOL-it tash e një kohë dhe kjo po dëshmon që diplomacia e jashtme e Kosovës ka dështuar në përmbushjen e nevojës për të anëtarësuar Policinë e Kosovës në INTERPOL”, ka thënë ai.

Me gjithë pengesat e shkaktuara nga fushata e Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës, kjo e fundit është bërë anëtare e disa organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatat më të rëndësishme financiare e sportive.

Disa nga ato janë, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, Federata Botërore dhe Evropiane të Futbollit, Komiteti Olimpik, Organizata Botërore e Doganave, Marrëveshja për Tregëti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).

Ndërkaq, Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore