Kosova

Kosovë: Vdes një person në një aksident trafiku


Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se në mbrëmjen e së shtunës së dy tetorit ka ndodhur një aksident trafiku si pasojë e të cilit ka humbur jetën një person.

Sipas raportit 24 orësh të policisë, thuhet se lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuar të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Në këtë aksident trafiku me fatalitet, janë lënduar edhe tre persona të tjerë të cilët kanë pranuar trajtime mjekësore.

“Në hyrje-dalje të autostradës, Suharekë, ka ndodhur një aksident trafiku në mes të tri veturave me targa të huaja, ku si pasojë e aksidentit viktima femër shtetase e huaj ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilës e ka konstatuar mjeku, kurse tre persona tjerë kanë pësuar lëndime të cilëve iu është ofruar tretman mjekësor”, thuhet në raport.

Po ashtu, në njoftim theksohet se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Përveç njësive policore të cilat e  kanë trajtuar rastin në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori dhe janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj shqiptar njëri shtetas i huaj dhe tjetri shtetas i Shqipërisë të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti vazhdon të hetohet”, vijon raporti.

Ndërkaq, në anën tjetër, bazuar në njoftimin e policisë, në komunën e Prishtinës është raportuar për një dhunim ndaj një të miture.

Foto: Ilustrim

“Viktima femër kosovare e mitur në prezencën e PQS-së ka raportuar se ka pasur dhunë fizike dhe është dhunuar disa herë nga i dyshuari mashkull shqiptar shtetas i Maqedonisë Veriore”, thonë Policia e Kosovës.

Sipas viktimës i dyshuari tani ndodhet në  një shtet tjetër ndërsa, viktimës i është ofruar tretman mjekësor.

“Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit. Rasti vazhdon të hetohet”.

Ndërkaq vetëm brenda 24 orëve të fundit në Kosovë janë raportuar gjahstë raste të dhunës familjare.

Siç raporton policia, në komunën e Prishtinës kanë ndodhur dy raste të dhunës fizike ndaj bashkëshorteve.

Viktima ka raportuar se bashkëshorti i saj kishte tentuar që me dhunë ta marrë atë nga shtëpia e prindërve të saj.

“Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor. Gjatë verifikimit  ka rezultuar se i dyshuari ka urdhër arrest aktiv i cili është arrestuar dhe është shoqëruar në stacionin e policisë në Vushtrri. Ndërsa rasti i dhunës në familje do të hetohet”, thuhet në raport.

Në të njëjtën komunë është arrestuar edhe një person për shkak të ushtrimit të dhunës fizike ndaj bashkëshortes.

Foto: Ilustrim

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që pas një mosmarrëveshje ka fyer dhe sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që pas intervistimit palët të lirohen dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, vijon njoftimi.

Edhe në komunën e Prizrenit, një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se është kanosur dhe sulmuar fizikisht nga burri dhe kunata e saj. Viktima ka pranuar tretman mjekësor pasi kishte lëndime të lehta trupore. Rasti është duke u hetuar”.

Po ashtu, në komunën e Prizrenit është arrestuar edhe një person i cili për shkak të mosmarrëveshjeve me bashkëshorten e tij e ka sulmuar atë fizikisht duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

“Viktimës i është ofruar tretmani mjekësor. I dyshuari ka qenë në ndikim të alkoolit me 1.84 promil. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”.

Një rast dhunë në familje ka ndodhur edhe në komunën e Deçanit, ku dy vëllezër kanë sulmuar fizikisht njëri tjetrin.

Foto: Ilustrim

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar (vëllezër) pasi qe të njëjtit pas një fjalosje kishin sulmuar fizikisht njëri tjetrin. Njëri nga të dyshuarit gjatë deklaratës ka pranuar se posedon një armë pa leje e cila është konfiskuar së bashku me 63 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”.

Dhunë fizike ka pasur edhe në një familje në komunën e Mitrovicës, ku “viktima femër kosovare ka raportuar se, pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt”.

Ndërkohë, sipas statistikave të përgjithshme të Policisë së Kosovës, brenda 24 orëve të fundit janë arrestuar gjithsejtë 25 persona, dhe 14 janë dërguar në mbajtje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore