Lajme

Kosovë: Mbi 26 mijë nxënës do t’i nënshtrohen testit të arritshmërisë


Mbi 26 mijë nxënës të klasave të nënta do t’i nënshtrohen testit të arritshmërisë këtë të premte.

Shefi i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Fatmir Elezi në një intervistë për Albanian Post, thotë se gjithçka është gati për mbajtjen e këtij testimi, pavarësisht që vitin e kaluar nuk është mbajtur për shkak të pandemisë.

“Këtë vit janë 26 mijë nxënës të cilët do të testohen, testi është sikurse viteve paraprake. Siç e dimë vitin e kaluar nuk është mbajtur testi, shkaku i pandemisë”, thotë Elezi.

Testi i arritshmërisë do të mbahet në 155 qendra testimi në nivel vendi, ku për monitorimin e mbarëvajtjes së këtij testi do të jenë të angazhuar mbi 2 mijë administratorë.

“Janë diku 155 qendra të testimit me rreth 2 mijë e 200 klasë të ndara, meqë këtë vit të gjitha komunat numrin e nxënësve në klasë nuk e kanë mbi 15. Vetëm në raste të rralla është ndonjë sallë më e madhe, mirëpo nëse është klasa 30 nxënës ndahet në dysh dhe përcjellët nga dy administrues”.

Ndërsa, “Çdo klasë do të jetë e pajisur me dezinfektues dhe nxënësit do të hyjnë në qendra të testimit vetëm me maska, do të thotë duhet të respektohen të gjitha masat kundër pandemisë”, potencon Elezi.

Tutje, sa i përket strukturës së testit ai thotë se do të jetë i ngjashëm më atë të viteve të kaluara, “Testi është me pyetje alternative, janë 100 pyetje nga lëndët që mësohen në shkollën e mesme të ulët, klasa e gjashtë deri në të nëntën, testi i arritshmërisë nuk është test i bazuar në kriter, do të thotë nuk ka kriter kalimi”, bën të ditur Elezi.

“Testi është i përbërë prej nëntë lëndëve gjithsej, janë gjuhë shqipe dhe gjuhë angleze një grup i lëndëve, histori dhe gjeografi, matematikë dhe informatikë si dhe shkenca natyrore. Do të thotë këto katër grupe janë nga 25 pyetje secila”.

Kurse, përjashtimi nga testimi është ndëshkim për nxënësit që do të kapen duke përdorur telefonin brenda qendrës së testimit.

“Shpresojmë që nuk do të lejojnë fotografimin e testit dhe bartjen e tyre në rrjete sociale, po prapë është administratori në klasë ai i cili duhet t’i mbikëqyrë ata nxënës dhe t’ua ndalojë përdorimin e telefonave gjatë testit. Ndëshkimi për nxënësit është përjashtimi nga testi, nëse nxënësi e ka me vete telefonin edhe nëse nuk e përdor është rregull që ditën e testit nuk duhet ta marrin telefonin me vete. Nëse e ka brenda në klasë telefonin atëherë ai përjashtohet nga testi”, thotë Elezi.

Përkundër ndikimit të pandemisë në procesin mësimor, sipas tij pritën rezultate nga ky testim.

“Mund të jetë rezultati më i lartë sesa viteve të kaluara, por këtë vit testimin e kemi përshtatur edhe me situatën e pandemisë, do të thotë edhe nëse është rezultati më i ulët sigurisht që ka ndikuar pandemia, por nuk e kemi një test që e matin trendin prej viti në vit”, potencoi Shefi i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Testi i arritshmërisë ka qenë i paraparë të mbahet me 21 maj, por që shtyrja e mbarimit të vitit shkollor ka bërë që të shtyhet edhe mbajtja e këtij testi.

Rezultatet e testit të arritshmërisë pritet të shpallen më 7 qershor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore