Lajme

Konjufca, kryeministres estoneze: Serbia po refuzon t’i vendos sanksione Rusisë


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është takuar me kryeministren Estonisë, Kaja Kallas të cilën e ka falënderuar për mbështetjen e popullit dhe shtetit estonez ndaj Kosovës në të gjitha proceset e saj.

“Estonia dhe gjithë Evropa kanë sot një rrezik të përbashkët, rrezikun e ndërhyrjeve ruse me mjete dhe mënyra të ndryshme”, thuhet në njoftim për media nga zyra e Konjufcës.

Sipas njoftimit, Konjufca i ka thënë kryeministres Kallas se Serbia mbetet ndër të vetmet vende në Evropë që refuzon të bëhet pjesë e sanksioneve anti-ruse.

“E ftova kryeministren e vendit mik të na ofrojnë asistimin e tyre në fushën e reformave ligjore dhe infrastrukturës zbatuese, me theks të veçantë në arsim dhe teknologji të lartë”.

Ndërsa Kallas, e ka garantuar Konjufcën për vendosmërinë e thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha sektorët.

Po ashtu Konjufca është takuar me homologun estonez Lauri Hussar, me të cilin ka diskutuar për situatën politike.

“Aleanca e vendeve demokratike është përgjigjja e vetme ndaj kërcënimit rus, aleatëve dhe satelitëve të saj, ndërsa vendosmëria jonë në vlerat e demokracisë është garancia e palëkundur e të ardhmes së përbashkët të paqes dhe përparimit”, ka njoftuar Konjufca në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore