Lajme

Konjufca e falënderon homologen gjermane, për qëndrimet e qarta për sulmin në Banjë


Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe presidenti i Bundestagut Gjerman, Barbel Bas.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është takuar me presidenten e Bundestagut Gjerman, Barbel Bas, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen që Gjermania ia ka dhënë Kosovës që nga themelimi i saj, por edhe më herët.

Konjufca, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se me presidenten e Bundestagut Gjerman, kanë diskutuar edhe për çështje të rëndësishme.

“Në veçanti, shpreha mirënjohjen time dhe të vendit tonë për qëndrimet e qarta të Gjermanisë, sa i përket sulmit terrorist në Banjskë”, ka shkruar Konjufca.

“Në frymën e raporteve të ngushta mes vendeve tona aleate dhe mike, diskutuam për çështje të rëndësishme, me orientim në kahjen që partneritetin tonë të ngushtë e të palëkundur nëpër vite ta thellojmë edhe më tej në drejtim të zhvillimit të interesave dhe synimeve tona të përbashkëta”, ka shkruar Konjufca.

Teksa ka thënë se e ka njoftuar presidenten e Bundestagut se Kosova, “ka arritur suksese të rëndësishme sa i përket treguesve të demokracisë në vend”.

“Megjithatë, shpreha nevojën e shtetit tonë për shkëmbimin e mëtejshëm të përvojave parlamentare dhe ekstra parlamentarë sa i përket rritjes së kapaciteteve demokratike. Nga zj. Bas mora konfirmimin se mbështetja diplomatike, partneriteti dhe bashkëpunimi i gjithanshëm mes nesh do të vazhdojë edhe më tutje”, ka shkruar Konjufca.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore