Lajme

Konjufca: Deklarata Kushtetuese, një nga gurët themelorë të luftës së lavdishme të popullit për pavarësi


Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, me rastin e 33-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë se akti i miratur nga 114 delegatë më 1990, u bë zëri unitar i përcaktimit të vullnetit politik të popullit shqiptar në Kosovë.

“Në këtë akt shpaloseshin parimet afirmative për vetëvendosje të popullit dhe barazi mes kombeve, përballë regjimit të Serbisë që përmes shtypjes dhe represionit ruante dhunshëm asimetrinë mes rendit të qartë faktik dhe një përcaktimi juridik jashtë realitetit”, ka shkruar Konjufca.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, është konsideruar si një shembull i shkëlqyer se çfarë do të thotë kur një popull i vendos ligjin vetvetes, për shkak se shënoi pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar kështu trajtim të barabartë me republikat e atëhershme socialiste brenda Jugosllavisë.

“Deklarata Kushtetuese është edhe sot shembull i shkëlqyer se çfarë do të thotë kur një popull i vendos ligjin vetvetes; se si kjo shënon përcaktim të drejtësisë në raport me vetveten dhe të barazisë në raport me tjetrin”, ka theksuar Konjufca.

“Nderimet më të larta për delegatët e Kuvendit të Kosovës, të cilët më 2 korrik 1990, me aktin e tyre vendosën një nga gurët themelorë nëpër të cilët ka ecur lufta e lavdishme e popullit tonë për liri dhe pavarësi!”, ka shtuar kreu i legjislativit.

Në oborrin e ish-Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) në Prishtinë, më 2 korrik 1990, 114 delegatë me Deklaratën Kushtetuese do të jetësonin kërkesat e akumuluara për pothuajse një shekull nën regjimet jugosllave.

Ajo ishte publikuar një ditë më vonë në “Fletorën Zyrtare” të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe ishte shkruar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), ndërsa përmbante pesë pika kryesore që ndryshuan historinë e Kosovës.

Për aspektin juridik të Deklaratës Kushtetuese ishte përkujdesur akademiku i ndjerë, Gazmend Zajmi, nismëtar i dokumentit që kurorëzoi kërkesat e kohës, që do të finalizohej me Pavarësinë e Kosovës 18 vjet më vonë (17 shkurt 2008).

Shtetësia e Kosovës është e lidhur ngusht me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990. Deklerata Kushtetuese e shpallur nga 114 delegatë zhvlerësoi Rezolutën e Konferencës së Prizrenit (10 korrik 1945) me të cilën Serbia, pasi që kishte anuluar Rezolutën e Bujanit, kishte aneksuar Kosovën.

Miratimi i Deklaratës Kushtetuese ishte kundërpërgjigje e Kosovës ndaj suprimimit të autonomisë (1974), që i ishte bërë atëherë nga Serbia. Veprimi është pasuar dy muaj më vonë edhe me miratimin e Kushtetutës së parë të Kosovës, të njohur si Kushtetuta e Kaçanikut (7 shtator 1990).

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut ishte manifestimi i parë i strukturave legale të sistemit, që mësynin mëvetësinë e plotë dhe njëherësh dokumenti i parë i firmosur si vullnet i shqiptarëve të Kosovës, në historinë e rrugëtimit shtetformues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore