Lajme

Komandanti i ushtrisë serbe kërkon nga KFOR-i që të marrë “masa urgjente për mbrojtjen e serbëve në Kosovë”


Milan Mojsiloviç

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviç, në një konferencë të shkurtër për media, ka folur për situatën e sigurisë së serbëve në Veri të Kosovës.

Kërkesa kryesore e parashtruar në këtë konferencë nga gjenerali serb ishte që Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, të marrë masa urgjente, siç pretendon ai, për mbrojtjen e serbëve në Kosovë.

“Në përputhje me të gjitha faktet e njoftuam komandantin e KFOR-it se me ankth po i përcjellim ngjarjet në Kosovë. Kjo është kërkesa jonë për njësitë e KFOR-it dhe institucionet e tjera në Kosovë. Ushtria serbe i përmbushë të gjitha obligimet e saja ligjore që dalin nga rezoluta 1244, por sot është e qartë se bashkësia ndërkombëtare nuk po i përmbushë obligimet e veta”, ka pretenduar ushtaraku serb.

Ai madje ka theksuar se ushtria serbe do t’i zbatojë të gjitha urdhrat që vinë nga komandanti suprem, në këtë rast presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Forcat e Armatosura Serbe, në përputhje me Kushtetutën e Serbisë dhe Kartën e OKB-së, nëse marrin urdhër nga Komandanti Suprem, do të kryejnë të gjitha detyrat e tyre në lidhje me krizën e përgjithshme të sigurisë, Rroftë Serbia”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore